Politike

Çështja Balluku, PD kërkesë Kuvendit: Të mblidhet urgjent Këshilli për Imunitetin

Nga Gazeta ‘Si’- Pesë anëtarët e PD në Këshillin e Imunitetit kanë kërkuar që të martën të mblidhet Këshilli për Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën për heqjen e imunitetit të Zv.kryeministres Belinda Balluku.

Lajmin e ka bërë me dije Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një deklaratë ku shprehet se duhet te diskutohet autorizimi për arrestimin apo heqjen e lirisë ndaj zëvendëskryeministres, ministres dhe deputetes Belinda Balluku.

Sipas tij, qëndrimi i Ramës se Kuvendi nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK për Ballukun pa vendosur Kushtetuesja, është bllokim i drejtësisë.

Bardhi shkruan se në fakt, kërkesa e sjellë në Kuvend nga Prokuroria dhe çështja që po trajtohet në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

“Gjatë kohës kur Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, për shkak se Prokuroria kishte marrë masën ndaluese për ushtrimin e funksionit për zonjën Balluku, ajo akuzohej për dy krime, me një vlerë dëmi prej 2010 milionë euro, dhe dosja e saj ishte kjo.

Sot që kërkesa e Prokurorisë ka ardhur në Kuvend për përshkallëzimin e masës ndaluese ndaj zonjës Balluku, pra për masë arresti apo heqje të lirisë, ajo akuzohet për plot 11 krime, me një vlerë dëmi prej 1.1 miliardë euro. Dhe dosja e saj është kjo, së bashku me provat që Prokuroria i ka sjellë në këtë USB Kuvendit.

Ndaj, thirrja ime sot shkon për Kryetarin e Kuvendit që të mos pengojë drejtësinë, të mos bëhet vegël e interesave personale apo e frikës që ndjen Edi Rama nga hetimi i plotë, i shpejtë dhe i pa ndikuar i Prokurorisë në rastet korruptive të Belinda Ballukut”, shkruan Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë