Politike

Çështja Balluku/ Berisha: Rama kërcënoi në mënyrë të paskrupullt SPAK dhe GJKKO

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar sërish vendimin e Kushtetueses për pezullimin nga detyra të Ballukut, duke u shprehur se gjyqtarët, të cilët votuan 4 me 4, sipas tij kanë dhënë vendimin nën diktatin e Edi Ramës.

“4 gjyqtarë të saj votuan kundër heqjes së pezullimit, votuan duke shkelmuar ligje dhe kushtetutë, votuan në diktatin e egër të Edi Ramës. Faktikisht, Balluku mbeti e pezulluar, por gjykata pezulloi veten e vet”, tha Berisha.

Më tej, kryedemokrati u ndal edhe te deklarata e Ramës pas mbledhjes së grupit të PS-së ditën e sotme, ku tha se kreu i qeverisë kërcënoi në mënyrën më të paskrupullt Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme.

“Edi Rama kërcënoi në mënyrën më të paskrupullt prokurorinë, gjykatën dhe u zotua se do mbrojë gjer në pikën e fundit të tij veten dhe Ballukun.

Ai është thirrur sot në Bruksel. Sipas medieve, sepse nuk dihet, por mediat shkruajnë se ka takim, është thirrur direkt nga numri një i Këshillit të BE për t’i komunikuar qëndrimin e prerë të BE ndaj qëndrimeve të tij antikushtetuese, antidemokratike, ndaj zotimit të tij për të vazhduar grushtin e shtetit.

Pra, ju e patë, ju e shihni, ai shkon në Bruksel me fustanin e Ballukut, në kuptimin që shkon si avokat i turpshëm i saj dhe të gjitha i ka për veten e tij.

Në Bruksel, dhe në mbarë kryeqytetet, është kuptuar se çfarë përfaqëson, çfarë kalbësire përfaqëson Edi Rama. Është kuptuar se autori i aferave të Ballukut është direkt Rama. Është kuptuar se Edi Rama, për fatin e mirë të shqiptarëve, është Ergys Agasi.

Është kuptuar se ata, në sipërmarrjen e dominuar tërësisht nga familja e tij, në agjencinë e dominuar tërësisht nga familja e tij, AKSHI, jo vetëm kanë vjedhur qindra milionë, por kanë urdhëruar pengmarrje dhe krime të shëmtuara”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë