Politike

Çështja Balluku/ Bardhi: Kallëzim penal ndaj Peleshit! Nuk ka më asnjë alibi për të mos thirrur Këshillin

Nga Gazeta ‘Si’-  Socialistët bojkotuan Mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit të thirrur nga anëtarët e PD.

Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se afati 3 javë për t’i dhënë kohë Ballukut ka skaduar.

Sipas tij kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi duhet të sqarojë se përse nuk po e mbledh Këshillin me qëllim shqyrtimin e kërkesës së SPAK që kërkon arrestimin e Belinda Ballukut.

Bardhi gjithashtu shtoi se PD do të bëjë një kallëzim penal ndaj kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, të cilin e quajti ushtar i zv.kryeministres Belinda Balluku.

Ai u shpreh se për shkak të mungesës së thirrjes së Këshillit të Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Belinda Ballukut, Paleshi është në kushtet e shpërdorimit të detyrës.

“Kryetari i Kuvendit nuk mund të tallet me Kuvendin, ai nuk merr urdhra nga të korruptuar. Ai nuk është ushtar i Ballukut, edhe pse ajo e ka ndihmuar që ai të jetë kryetar i ri kuvendit, sepse ka qenë zgjedhje e saj personale.

Është guxim i madh të marrësh në mbrojtje një të korruptuar që ka abuzuar me 1.1 mld euro”, tha Bardhi.

Ai tha se këshilli mblidhet përmes dy formave: me kërkesën e kryetarit të Kuvendit ose të ½ të anëtarëve të këshillit.

“Sot mbushen tre javë nga dita kur prokuroria ka kërkuar lejimin e arrestimit për krahun e djathtë të Edi Ramës, bashkëpunëtoren e tij në krim, Belinda Balluku. Po sot mbushen tre javë ku kryetari i kuvendit dhe katër deputetët e PS në këshill fshihen siç fshihen ata që shkelin ligjin”, tha Bardhi sipas të cilit “ky është një akt i paprecedentë“.

Ai theksoi se edhe para reformës në drejtësi nuk ka ndodhur që një kërkesë e prokurorisë të marrë kaq kohë për t’u shqyrtuar.

“Me përgjegjshmëri të plotë që na dikton situata dhe si anëtarë të Këshillit të Mandateve, 5 anëtarët të këtij këshilli kërkuan mbledhjen e këshillit për të vijuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Kërkesa jonë është e bazuar në rregulloren e Kuvendit që do të duhet të jetë i vetmi dokument ligjor.

Kryetari ka për detyrë të njoftojë mbledhjen e Këshillit dhe rendin e ditës. Sot mbushen tre javë kur SPAK ka kërkuar lejimin e arrestimit të Ballukut dhe po sot mbushen 3 javë kur anëtaret e PS fshihen si ata që kanë shkelur ligjin.

Ky është një akt i paprecedent, ku këshilli merr 3 javë kohë për të shqyrtuar një kërkesë.

E pandehura Balluku ka kërkuar 3 javë kohë për të shqyrtuar provat. Ndërkohë vetë Rama tha që avokati dhe Balluku nuk i kanë marrë materialet.

Nga njëra anë thoshte një pjesë se çfarë kishte USB-ja, nga ana tjetër thoshte se asnjë prej nesh nuk i ka tërhequr materialet.

Afati 3 javë që donin t’i jepnin Ballukut kohë që të hante vitin e ri në shtëpi dhe jo në Burgun e Pojskës skadoi. Kryetari i Kuvendit duhet të shpjegojë pse nuk thërret këshillin e mandateve”, tha Bardhi.

Ai tha se Balluku ka vjedhur 1.1 mld euro, ndërsa shtoi se ajo po hetohet për 9 procedura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë