Euro 2020

Ceremoni “blic”, Boçeli me “Nessun dorma” dhe 15 mijë spektatorë në Romë

Erdhi ora. Nis sot Europiani i programuar për në 2020-ën dhe i shtyrë për këtë vit për shkak të pandemisë. Luhet në 11 qytete të Europës, me finalen në Londër më 11 korrik. Siparin e ngre sot në mbrëmje (ora 21:00), Turqi-Itali, për të vazhduar nesër me Uells-Zvicër, Danimarkë-Finlandë dhe Belgjikë-Rusi.

Ndeshjen inaugurale në “Olimpico” të Romës do ta paraprijë një ceremoni e shkurtër, që do të zgjatë vetëm çerek ore. Një balerinë “ajrore”, 24 sferat që simbolizojnë kombet pjesëmarrëse. Të ftuar specialë janë Françesko Toti dhe Alssandro Nesta, dy ish-lojtarë të famshëm të Italisë. Andrea Boçeli do të sjellë “Nessun dorma”, kurse në versionin virtual, Bono Voks, Martin Garriks dhe “The Edge” do të këndojnë himnin e Europianit “We are the people”.

Do të jenë 15 mijë spektatorë në stadium, 3 mijë nga të cilët turq, të distancuar sipas normave anti-Covid. Ora policore është shtyrë 1 orë pas mesnate, në mënyrë që këta tifozë të kenë mundësi të kthehen në shtëpi. Në tribunë do të jetë edhe presidenti i Italisë, Serxhio Matarela.

Italia e Mançinit do të zbresë në fushë me skemën 4-3-3. Trajneri i “axurrëve” është shprehur se nuk mund të nënvlerësohet kurrsesi Turqia, ndërsa kolegu i tij, Senjol Gynesh, ka pohuar se shpreson ta ritakojë në finale Italinë. Në sulmin italian do të jetë Imobile, i mbështetur nga Berardi dhe Insinje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë