Berat Gjimshiti dhe Ramen Çepele, mbrojtësit kuqezi, ishin dy lojtarët e përzgjedhur për konferencën e sotme të shtypit. Cepele, i cili është debutuesi më i ri në historinë e kombëtares sonë, ka theksuar mes të tjerash se Kombëtarja është në gjendje t’i fitojë dy ndeshjet e Ligës së Kombeve me Kazakistanin dhe Bjellorusinë.

“Është një emocion i paparë, fantastike, krenari ajo që kam bërë, është gjë shumë e bukur. Të gjithë lojtarët e tjerë më kanë ndihmuar. Më kanë qëndruar afër dhe nuk kam pasur shumë vështirësi. Them se shumë lojtarë nga skuadra më kanë ndihmuar shumë dhe njërin prej tyre e kam këtu në krah, është Gjimshiti. E falënderoj atë dhe të gjithë të tjerët.
Gjithçka mund të arrihet, shpresoj shumë të arrijmë në Europian dhe në Botëror dhe të gëzojmë gjithë shqiptarët. Them se duhet të pres momentin tim, jam akoma i vogël, kam shumë për të bërë. Unë them se te Hannover kam më shumë shanse për të arritur të ekipi i parë.
U largova nga Interi, pasi në Itali nuk u japin shumë përparësi të rinjve. Te Hannoveri kam tjetër perspektivë, pasi është më e lehtë të debutosh në skuadrën e parë. Gjatë qëndrimit te Interi, nuk kam pasur asnjëherë kontakt me Antonio Conten”, tha Çepele mes të tjerash

Kurse Gjimshiti, një nga futbollistët më në formë në Kombëtaren Shqiptare, pasi prej dy sezonesh luan në nivele të larta te Atalanta u shpreh: “Ne besojmë maksimalisht që mund t’ia dalim të fitojmë këto ndeshje dhe të marrim vendin e parë në grup. Kemi shumë lojtarë të mirë në grup, si ata me eksperiencë, por edhe të rinjtë si Çepele që ka ardhur së fundi. Nëse bëjmë ndeshje të mira, atëherë marrim maksimumin. Më ka ndihmuar Atalanta, por më e rëndësishme është të luash sa më shumë se ajo të jep eksperiencën.
Edhe gabimet të përmirësojnë dhe trajneri të rrit shumë kur të jep besimin. Edhe ndeshjet në Champions League të japin një eksperiencë të jashtëzakonshme.. Ne e vlerësojmë më shumë se sa një miqësore, se tani janë bërë një rast për t’u kualifikuar. Janë raste që mund t’i marrësh serioz si ne. Ne i kemi si ndeshje shumë të rëndësishme për ne.
Gabimi është që të mos nënvlerësojmë se kanë cilësi dhe kanë një kundërsulm të mirë. Duhet të kemi kujdes, por me eksperiencën dhe cilësitë që kemi besoj se mund t’i mundim”, u shpreh Gjimshiti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




