Kosova

‘Cep më cep’/ Kurti: Synojmë gjysmë milioni vota. Nuk do kemi nevojë për koalicion paszgjedhor

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se në zgjedhjet e 9 shkurtit, pret që të tejkalojë rezultatet e vitit 2021.

Ai tha se nuk do të kenë nevojë për koalicione paszgjedhore dhe shtoi se në këto zgjedhje VetëVendosja garon me listë të përbashkët me partitë “Guxo” dhe “Alternativa.”

“Ne nuk shohim mundësi që të kemi koalicione paszgjedhore prandaj edhe i kemi bërë ato parazgjedhore, së pari me partinë Guxo dhe gjithashtu me partinë Alternativa, me të cilët kemi bashkëqeverisur në këto katër vjet dhe i kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri.

Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë për dy dekada, nganjëherë dy prej tyre, nganjëherë të trija bashkë, PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite unë nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh se, sidomos në muajt e fundit, sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj eksponentëve të subjektit tonë politik, ndaj qeverisjes sonë të mirë e demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, deklaroi Kurti në një intervistë dhënë Kosovapress.

Ai tha se LVV-ja është e vetmja qeveri që e ka dërguar mandatin deri në fund ndryshe nga qeveritë e mëhershme në Kosovë.

“Ne presim ta tejkalojmë rezultatin e vitit 2021 për shkak se para katër vitesh i kishim 438 mijë vota dhe besoj që është reale që të presim që të kemi rritje, prandaj e kemi vendosur këtë synim prej gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Jemi shumë të lumtur që kemi pasur stabilitet institucional, jemi qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund dhe uroj që ky të jetë një fillim i mbarë i stabilitetit institucional në Republikën e Kosovës, për dallim prej qeverive të mëhershme në Kosovën e pavarur që nuk e përfundonin mandatin. Kemi nevojë për qeveri të cilat për zotimet e tyre i kanë katër vjet mandat të plotë”, thotë Kurti.

Ditën e sotme (7 janar) në një postim në Facebook ai publikoi edhe sloganin e VetëVendosjes.

“Cep më Cep” është slogani i zgjedhur nga LVV-ja e cila në këto zgjedhje do të ketë numrin 118.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë