Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, ka deklaruar se censusi në këto dy javë ka ecur sipas pritshmërive. Sipas saj, deri më tani censusi është kryer në 42% të banesave. Ky proces sipas saj është shtrirë njëkohësisht në të 12 qarqet e vendit dhe në terren janë të gjitha grupet sipas zonave.
“Janë 5240 zona dhe po kaq anketues në terren janë 20 zona të lëvizshme që janë në proces të plotësimit. Procesi është dinamik, monitorohet çdo ditë. Deri tani është trokitur në 42% të banesa. Jemi me ecuri të mirë brenda pritshmërive anketuesit po realizojnë një normë ditore 5-6 intervista në ditë. Janë mirëpritur deri tani nga qytetarët. Ka një reagim të kënaqshëm nga qytetarët. Procesi zhvillohet paralelisht në të 12 qarqet në të gjithë vendin. Anketuesi e organizon ditën e tij sipas mënyrës së tij, Anketuesit po kryejnë nga 5-6 banesa”, tha Dhuli në emisionin “Debat” në A2CNN
E pyetur nëse ka patur raste refuzimi, ajo tha se nuk kanë qenë refuzime të plota për shkak të kohës së përshtatshme për qytetarët. Dhuli renditi edhe vështirësitë që hasin anketuesit.
“Mbase nga koha kur intervistuesi ka trokitur në derë nuk ka qenë koha e volitshme për qytetarët kanë refuzuar dhe kërkuar një vizitë të dytë. Raste që ne nuk i kemi quajtur refuzime të plota. Kemi numrin jeshil në dispozicion për problematikat dhe informacion shtesë dhe një numër telefonatash që kërkojnë t’i intervistojnë”.
Dhuli renditi edhe vështirësitë që hasin anketuesi: “Mënyra e orientimit me hartë se kanë hartë digjitale që duhet të orientohen sipas metodologjisë së caktuar për të cilën janë trajnuar. Një vështirësi tjetër është gjetja e familjarëve në familje që lënë notën shënuese poshtë derës. Anketuesit tanë janë trajnuar që të kryejnë 3 vizita dhe jo brenda një jave por të shtrira në kohë në ditë të ndryshme. Kemi pasur shume raste kur familjarët kanë telefonuar në numrin e lënë shënim anketuesit dhe kanë caktuar orën e datën kur gjenden në familje”.
Anketuesit kanë një orar nga 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës. Në rastet kur qytetari kërkon të intervistohet pas orës 8: 00, Dhuli tha se dhe ‘bien në dakord mes palëve për të gjetur kohën më të përshtatshme”.
Kostoja totale e procesit të censit 2023 është 16.9 milionë euro dhe i takon 5.7 euro për çdo banor.
Drejtoresha e INSTAT e argumentoi këtë me investimin teknologjik, infrastrukturën dhe rekrutimin e 7 mijë personave.
“Vetë procesi është shumë i madh me shumë elementë të përfshirë brenda dhe ka një faturë kosto. Kostoja totale 16.9 milionë euro dhe i takon një kosto prej 5.7 euro për çdo banor dhe është një kosto që për investimin teknologjik që është bërë janë sistem infrastrukture të ngritura dhe secila prej tyre ka kosto. Ne po kryejmë një cens me metoda tradicionale derë më derë dhe janë rekrutuar 7 mijë persona”.
Për pyetjet sensitive si feja, etnia dhe gjuha të cilat janë opsionale, ajo tha se pavarësisht se përmbajnë të drejtën e mospërgjigjes, janë vetëdeklaruese.
“Pyetësori që po intervistohet në terren përmban pyetjet e detyrueshme, kurse pyetjet opsionale dhe sensitive janë pyetjet mbi etninë, fenë dhe gjuhën. Pyetjet për këto janë opsionale sensitive dhe jo detyruese dhe përmbajnë të drejtën e mos përgjigjes por janë pyetje vetëdeklaruese që do të thotë nuk ka pyetje si ndihesh? Statistika është fakt, individët deklarojnë identitetin etnik fetar dhe gjuhën, jo si ndjeheni ju?”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.