Politike

Censi/ Shkupi zyrtar: Të dhënat për minoritetin etnik s’janë të sakta. Të shqetësuar për termin ‘maqedonas verior’

Nga Gazeta 'Si' - Pas publikimit të Censit të popullsisë në Shqipëri ka reaguar ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, e cila shpreh shqetësim, duke thënë se të dhënat për numrin e maqedonasve në vendin tonë nuk janë të sakta.

Po ashtu, Shkupi zyrtar shpreh pakënaqësi dhe reagon ashpër për përdorimin e termit “maqedonas verior”.

"Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut vëren me shqetësim serioz rezultatet e publikuara paraprake të Regjistrimit të popullsisë të mbajtur në Republikën e Shqipërisë në vitin 2023. Parregullsitë teknike në mënyrën e zbatimit të tij, të cilat janë vënë në dukje vazhdimisht nga shoqatat maqedonase në Republikën e Shqipërisë në prag të regjistrimit, por edhe gjatë zbatimit të tij, kanë rezultuar në publikimin e të dhënave paraprake, të cilat fatkeqësisht, nuk pasqyrojnë në mënyrë adekuate numrin real të maqedonasve etnikë në vend".

Për të gjitha këto, ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të thërrasë ambasadorin e saj në Tiranë Danço Markovski per konsultime urgjente për të sqaruar siç thuhet në njoftim “mangësitë dhe mospërputhjet në këtë proces”.

"Në vazhdim, Ministria do të bashkëpunojë intensivisht me përfaqësuesit kompetentë të autoriteteve në Republikën e Shqipërisë dhe me përfaqësuesit e komunitetit maqedonas në Republikën e Shqipërisë në drejtim të promovimit të tyre kulturor dhe social brenda shoqërisë shqiptare, e cila për fat të keq dhe më shumë se padyshim u neglizhua plotësisht nga struktura e mëparshme politike në vendin tonë.

Të gjitha çështjet e hapura ndërmjet dy shteteve fqinje duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë dhe respektimit të rregullave, parimeve dhe vlerave të rendit juridik ndërkombëtar", thekson Ministria e Jashtme e RMV-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë