Nga Gazeta Si – Tkurrja e popullsisë dhe largimi i të rinjve janë dy shqetësimet e ngritura nga Kisha Katolike pas publikimit të të dhënave të Censusit të vitit 2023. Në një reagim zyrtar, i pari reagim që vjen nga përfaqësuesit e feve në Shqipëri, Kisha Katolike ka folur edhe për numrin e katolikëve të regjistruar, duke thënë se do nisë një census në Dioqezat dhe famullitë e tyre për të njohur numrin e katolikëve në vend.
“Mbyllja e procesit të Censusit dhe dalja e rezultateve të tij është një moment që na intereson edhe ne si Komunitet katolik. Dy fakte na shqetësojnë si Kishë katolike. Së pari tkurrja e popullsisë me rreth 410000 njësi në krahasim me Censusin e vitit 2011. Ne mendojmë se numri është më i lartë se kaq. Është një fenomen që ne si Kishë katolike e kemi ndier dhe e kemi shprehur herë pas here, për shkak edhe të pranisë sonë kapilare në territorin e Shqipërisë. Ne kemi qenë dëshmitarë të largimit masiv të familjeve shqiptare jashtë Shqipërisë dhe e përjetojmë përditë këtë plagë. Kjo është e lidhur me një shqetësim të dytë që statistikat e tregojnë: tkurrja e moshës së re dhe e moshës së punës. Kjo sjell pasoja në zhvillimin e shoqërisë e sidomos në mirëqenien shpirtërore dhe ekonomike të familjeve shqiptare”, thuhet në njoftimin zyrtar të kishës katolike.
Kjo tkurrje e numrit të të rinjve, sipas Kishës Katolike ul përkujdesjen ndaj moshës së rritur e sidomos moshës së tretë, “fenomen ky që e kemi ndeshur dhe e ndeshim çdo ditë në vizitat nëpër familje, ku shpesh shohim e takojmë të moshuar të vetmuar e pa përkrahje”.
Kjo tkurrje po ashtu ul numrin e martesave dhe familjeve të reja që janë garanci për lindjen dhe edukimin e fëmijëve, si detyra themelore të martesës dhe familjes e që garantojnë vazhdimësinë jo vetëm numerike, por edhe cilësore të shoqërisë, shkruhet ndër të tjera në njoftim.
Largimi i moshës së re është mungesë e një aseti që varfëron Shqipërinë dhe kësisoj, Kisha Katolike shkruan se duhet të zhvillohen politika më të favorshme arsimi dhe punësimi që të rinjtë të gjejnë motiv për të qëndruar në vendin e tyre.
“Ndaj, ne ftojmë qeverinë, por edhe të gjithë faktorët e tjerë socialë, që me anë të një bashkëpunimi serioz, sidomos në fushat e punësimit dhe të arsimit, të nxisin të rinjtë që të qëndrojnë në atdheun e tyre. Politikat për familjet e reja, të cilat e nisin jetën e tyre martesore, duhet të jenë gjithashtu një prioritet në politikat zhvillimore”.
Së fundi, për sa i përket numrit të katolikëve, Kisha thotë se ne nuk kanë elemente në dorë për të gjykuar nëse realisht është ky numri i katolikëve në Shqipëri.
“Tkurrja e përgjithshme e popullsisë ka sjellë edhe tkurrjen e katolikëve dhe ikjen e tyre në vendet perëndimore, kryesisht në Evropë dhe në Amerikën veriore. Në këto vite, ne si komunitet katolik, nuk kemi kryer regjistrime për popullsinë. Prandaj, edhe neve na lind një angazhim për ta kryer këtë Census nëpër Dioqezat dhe famullitë tona për ta njohur, edhe pse përafërsisht, por me realizëm, numrin e katolikëve në territor”.
Kisha uron që të dhënat, statistikat, që kanë dalë nga ky Census, me gjithë marzhat e gabimit apo shkarjet përgjatë procesit, të jenë një shtysë për të krijuar strategji zhvillimore për të ardhmen e familjeve dhe shoqërisë shqiptare në tërësinë e saj.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Censusi, numri i katolikëve në territorin shqiptar është 201 530.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.