Futboll

Çelsi si në epokën Abramoviç, çmenduria e radhës për Mudrik kushton 100 mln euro

Gazeta Si – Çelsi po bën atë që do në merkato, pak rëndësi ka çfarë bën skuadra në fushë, me trajnerin Poter që tani në rrezik shkarkimi. Çmenduria e fundit është blerja e ukrainasit Mudrik, 22-vjeçarit që dukej më pranë Arsenalit deri pak orë më parë.

Duket si fillimi i epokës ‘Abramovic’, që sapo bleu Çelsin, afroi gjithë lojtarët që donte në skuadër, nga më të mirët e kohës. Me një lëvizje blic, klubi londinez e rrëmbeu talentin ukrainas, duke paguar menjëherë 70 milionë euro, plus 30 milionë euro bonuse. Atë që donte Shakhtari, ndaj dhe marrëveshja është mbyllur me shpejtësi.

Mikhailo Mudrik, 22 vjeç. Gazeta Si, 15 janar 2023

Mudrik ka pranuar të firmosë një kontratë që e mban në Londër deri në vitin 2030. Ai ka lënë grumbullimin në Turqi për të zbarkuar në kryeqytetin anglez, ku do të kryejë vizitat mjekësore. Arsenali, veçanërisht pas dëmtimit të Gabriel Jesus në Botëror, u interesua për të. Lojtari nisi të ëndërronte Premier Ligën, ku tashmë do të shkojë, por me fanellën blu të Çelsit.

Arsenali ofroi 50 milionë euro fillimisht, për të shkuar në 90 bashkë me bonuset, por Shakhtari kërkoi me ngulm 100 milionë, që tashmë i janë dhënë nga Çelsi. Drejtuesit e dy klubeve u takuan në Londër. Blutë afruan Zhoao Feliks në huazim për 11 milionë euro, por portugezi doli me të kuq që në ndeshjen e parë dhe do të mungojë për 3 javë, kështu që gropa në sulm mbetet.

U rihap kështu pista e Mudrik dhe me një blic në Turqi është mbyllur marrëveshja me klubin ukrainas. Sulmuesi anësor është i talentuar, është shembulli perfekt i lojtarit që klubi do për të ardhmen. Mudrik është blerja e 5-të e Çelsit në janar, ku deri tani janë shpenzuar në total 200 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë