Futboll

Çelsi dështon në derbin e Londrës, vetëm 1 pikë në 2 javët e para të kampionatit

Gazeta Si – Çelsi shpenzon shifra ta paimagjinueshme për një lojtar, duke vendosur rekorde, por në fushë vazhdon të dështojë. Uest Hemi e ka mundur 3-1 në derbin e Londrës, në javën e dytë të Premier Ligës. Telashe që në start për skuadrën e trajnerit Poçetino, me 1 pikë pas 2 ndeshjeve të para.

Reagimi i trajnerit Poçetino pas deshtimit. Gazeta Si, 20 gusht 2023

Në fushën e Uest Hemit Çelsi pësoi humbjen e parë në këtë kampionat. Pas 7 minutash, Uard-Proues shërbeu për Aguerd që zhbllokoi shifrat. Çukuemeka barazoi rezultatin për blutë e Londrës, që në fund të pjesës së parë kishin mundësinë më të mirë për golin e avantazhit. Souçek shkaktoi penallti, por Enco Fernandez dështoi nga pika e bardhë, i hipnotizuar nga Areola.

Në pjesën e dytë erdhi avantazhi i Uest Hemit me Mikail Antonio. Më pas, Aguerd u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la fushën në minutën e 68-të. Poçetino futi në fushë Madueke dhe Burstou, por golin e gjeti sërish Uest Hemi. Në shtesë Paketa mbylli llogaritë në 3-1 me penallti.

Vetëm pas 2 javësh, Çelsi është -5 pikë nga kreu i renditjes, ndërsa takimi me fitoren e parë është shtyrë sërish. Aston Vila mundi 4-0 Evertonin, duke regjistruar fitoren e parë në kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë