Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka dalë në konferencë për mediat këtë të premte, 10 tetor, lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Celibashi tha se nuk mund të kryejnë asnjë veprim, pasi është çështje e kompetencës së Kushtetueses për të vendosur mbi ankimin e Veliajt. Ai shtoi se përsa kohë ka një dekret të Kushtetueses, do ishin në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës, në rast se do të vijonin me përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë.
“Në zbatim të këtij vendimi, KQZ ka pezulluar të gjitha përgatitjet që lidhen me procesin zgjedhor për Tiranën, ndërkohë vazhdon normalisht procesi për zgjedhjet në pesë bashkitë e tjera. Çdo veprim i KQZ-së është pezulluar që ditën e djeshme. Në datën 9 nëntor, është e sigurt që do të zhvillohen zgjedhjet për pesë bashkitë”, deklaroi ai.
I pyetur se a ka shanse që zgjedhjet për Tiranën të zhvillohen më datë 9 nëntor, në këto kushte, Celibashi dha këtë përgjigje:
“Në kapacitetin tim si komisioner qendror për zgjedhjet, mendoj se Kushtetuesja ka caktuar datën 31 tetor për të vendosur mbi këtë çështje që është komplet e Gjykatës në fjalë…Në çdo lloj versioni, qoftë KQZ, qoftë Këshilli i Ministrave apo Presidenti do të shohin nëse do të ketë vend për secilin prej këtyre tre institucioneve për të marrë një vendim të caktuar. Nuk më lejohet të them se çfarë vendimi do merrej për situata hipotetike!”
Procesi përgatitor i zgjedhjeve në njësitë e caktuara zgjedhore, të qeverisjes vendore, theksoi ai, nuk lidhet vetëm me fushatën zgjedhore.
“Është shpallja e listës së zgjedhësve, e drejta e qytetarëve për t’u njohur me atë listë, është procesi i regjistrimit të partive politike apo koalicioneve, apo regjistrimi i kandidatëve, miratimi i fletëve të votimit”, argumentoi ai lidhur me kohën që kërkohet për zgjedhjet në Tiranë, në zbatim të ligjit dhe Kushtetutës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



