Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka bërë një deklaratë për mediat, tashmë që u mbushën 24 orë nga mbyllja e procesit të votimit dhe nisja e numërimit të votave.
Ai tha se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve pritet të dalë brenda javës, ndryshe nga një ditë më herët ku tha se ai pritej brenda pasdites të së martës (13 maj).
Celibashi theksoi se procesi do të përmbyllet në kohë, ndonëse shtoi ritmi i numërimit, veçanërisht për votat e diasporës, varet edhe nga organizimi i partive politike.
“Besoj se brenda kësaj jave do ta kemi rezultatin. Kam shumë besim se do përfundojmë brenda kësaj jave,” u shpreh Celibashi.
Kreu i KQZ renditi edhe KZAZ ku janë hasur problematika.
“Është mbyllur procesi i numërimit për 22 bashki. Janë 24 KZAZ nga 93 që kanë përfunduar procesin dhe kanë vendosur që për shkak të lodhjes të fillojnë nesër me votat për kandidatët e listës së hapur. Kemi një ndërprerje në dy KZAZ të Fierit, me ndërhyrjen tonë ka rinisur puna. Në 2 KZAZ në Pustec dhe Devoll ka përfunduar procesi dhe për kandidatët”, tha kryekomisioneri.
Celibashi foli dhe për ritmin e ngadaltë të numërimit të votave për të cilat si shkak tha se janë numëruesit e lodhur. Për këtë arsye ai iu kërkoi subjekteve që të sjellin anëtarë të tjerë në KZAZ me turne, pasi vonesat nuk do të lejohen.
“Në përgjithësi procesi ka shkuar mirë, por kemi probleme me ecurinë normale. Kjo ecuri është kushtëzuar nga lodhja e numëruesve. Një pjesë e tyre kanë qenë dhe komisionerë gjatë procesit të votimit. Thirrje partive politike që të marrin masa për të ndryshuar anëtarët e grupeve të numërimit. Ata e dinë njerëzit që kanë propozuar dhe të ndërtojnë një sistem me turne. E kemi bërë këtë komunikim”, tha kreu i KQZ.
Gjithashtu, kryekomisioneri pranoi dhe vonesat në administrimin e votave të diasporës, kjo për shkak të përpunimit të dokumentacionit.
“Janë numëruar 13946 zarfe nga 194 mijë vota të diasporës. Po merr koha vlerësimi i dokumentacionit të votuesve nga jashtë, kjo për shkak të përpunimit. Dje humbëm kohë për shkak të debateve për votat nga Greqi. Procesi eci ngadalë pasi ishte një eksperiencë e re”, tha Celibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.