Politike

Celibashi: Reforma zgjedhore të jetë gati në qershor

Nga Gazeta ‘Si’– Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka vendosur një “afat kufi” për miratimin e ndryshimeve ligjore, duke kërkuar që ato të mos lihen për momentin e fundit.

Sipas Celibashit, miratimi i hershëm i kornizës ligjore është jetik për mbarëvajtjen teknike të procesit të ardhshëm elektoral. Reforma Zgjedhore, nënvizoi ai, duhet të përfundojë deri në qershor të këtij viti.

“Duhet, që ndryshimet në ligjin zgjedhor të jene në fuqi jo më vonë se qershori i këtij viti. Në këtë mënyrë, partitë politike, KQZ apo edhe institucione të tjera publike që lidhen me procesin zgjedhor, do të kenë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të përgatitur zgjedhjet vendore të 2027 ashtu sikurse ligji zgjedhor do ta përcaktojë.”

Përveç kohës, Komisioneri vuri theksin edhe te cilësia e procesit.

Ai insiston që reforma nuk duhet të jetë një produkt i mbyllur i “kuzhinave” politike, por një dialog i gjerë që përfshin të gjithë aktorët e shoqërisë.

“Procesi i reformës duhet të jetë i hapur dhe i konsultuar gjerësisht. Diskutimet për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor nuk duhet të zhvillohen në mënyrë të mbyllur ose të kufizohen vetëm në tryeza politike. Përkundrazi, procesi duhet të përfshijë konsultime me institucionet që administrojnë zgjedhjet, me organizatat e shoqërisë civile, me ekspertët e fushës dhe me organizatat ndërkombëtare që monitorojnë proceset zgjedhore, por edhe me organet e drejtësisë”, tha ai.

Ky qëndrim vjen në një kohë kur palët politike shpesh e kanë lënë reformën zgjedhore si një çështje të negociatave të minutës së fundit, çka shpesh ka krijuar vështirësi teknike për KQZ-në në implementimin e teknologjisë apo rregullave të reja në terren.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë