Politike

Celibashi: PD përfiton fonde për zgjedhje. Për partitë, jo më pak se 130 mln lekë

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi ka qartësuar se Partia Demokratike do të përfitojë fonde për zgjedhjet e 14 majit, edhe pse nuk ka qenë pjesë e zgjedhjeve në 2019-n. Celibashi sqaron se është neni 180 që e përcakton se fondi për PD-në do të bazohet sipas zgjedhjeve pararendëse vendore të vitit 2015, siç kishte kërkuar më herët deputeti Enkelejed Alibeaj.  

Në një konferencë për gazetarët, Celibashi tha dhe se fondi për partitë nuk do të jetë më i vogël se 130 milionë lekë, por shtoi se është çështje me të cilën do të merret Kuvendi.

LEXO EDHE:
A përfiton PD lekë nga buxheti për lokalet e 14 majit? (Tani fajin s’e ka vula, por bojkoti)

“Është një vendim që do të duhet ta marr dhe s’po e bëj publik. Ligji ka përcaktuar në dispozitën tranzitore neni 180 që merr fonde partia që ka marrë pjesë në zgjedhjet pararendëse në 2019. E dimë që PD s’mori pjesë por neni 180 ka përcaktuar në referim do merren sipas rastit të 2015 dhe 2017. Ka një përjashtim që për ato që s’kanë marrë pjesë në këto zgjedhje do merret në konsideratë procesi i 2019. Ne nuk kërkojmë fond se është çështje që i takon Kuvendit dhe vendos se sa para do të vendosim në dispozicion të partive politike për fushatën e tyre zgjedhore. Ky fond nuk do jetë më i vogël se 130 milionë. Megjithatë është çështje e Kuvendit dhe nuk kemi obligim. Ne kemi bërë një lloj kujtese që ka fonde që vihen në dispozicion të cilat janë apo alokojmë me qëllim që të marrim masat”, – tha Celibashi.

Kreu i KQZ-së tha dhe se në zgjedhjet e 14 majit do të regjistrohet PD-ja që vendos Gjykata deri më datë 3 dhe se është vetëm një e tillë.

Sqarimi i Celibashit vjen një ditë pas debatit që nisi në Komisionin e Ligjeve se cilit nen të Kodit Zgjedhor duhet t’i referohej komisioni, nenit 88 që fliste për ndarjen e fondit për zgjedhjet lokale, (ku referuar saj,  fondi ndahet në bazë të rezultatit të vitit 2019 ku PD nuk mori pjesë dhe për pasojë PD mund të mbetet pa fonde në zgjedhjet e 14 majit) apo nenit 180 që ka parashikuar edhe këtë handikap por duke sqaruar ato raste kur bëhet fjalë për zgjedhje të përgjithshme dhe jo lokale. Pavarësisht ngërçit, Kuvendi miratoi fondin në parim dhe gjithçka i mbetet për interpretim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë