Politike

Celibashi: Më 11 janar procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë. Shërbimin postar e paguan shteti

Nga Gazeta 'Si' - Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi tha në Nënkomisionin për Diasporën dhe Migracionin se më 11 Janar do të nisë procesi i regjistrimit të emigrantëve për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025.

Celibashi kërkoi që palët politike të bashkëpunonin me qëllim që të realizohej në kohë i gjithë procesi.

Ai tha se, “procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë ka shkuar në përputhje me të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor, përfshi këtu edhe në kuptim të afateve që ky kod ka përcaktuar për aspekte të ndryshme të karakterit normativ apo organizativ të votimit nga jashtë”.

“Kemi miratuar aktin që ka të bëjë me rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë, pra për përgatitjen e listës së zgjedhësve. Kemi miratuar aktin që ka të bëjë me miratimin e listës së dokumentacionit që kërkohet për të vërtetuar adresën e votuesit nga jashtë me qëllim regjistrimin në listën e zgjedhësve. Kemi miratuar rregullat për procedurën e votimit nga jashtë. Kemi miratuar vendimin që ka të bëjë me parimet dhe karakteristikat e përgjithshme teknike të funksionit, administrimit të mbikëqyrjes dhe auditimit të platformës elektronike të regjistrimit të votuesve nga jashtë”, u shpreh Celibashi.

Sa i takon tarifës së shërbimit postar, Celibashi tha se ka patur diskutime me qeverinë shqiptare dhe kostot do paguhen nga shteti shqiptar.

“PS i kemi sugjeruar që për këtë proces, kostot të paguhen nga shteti shqiptar dhe duket se e kemi vullnetin e qeverisë dhe të Kuvendit, sepse në ligjin për buxhetin i është vënë në dispozicion KQZ buxhet për të paguar tarifën si në dërgim edhe në kthim të fletës së votimit”, tha kreu i KQZ.

Komisioneri theksoi se, “Komisioni Rregullator është në procesin e shqyrtimit të aktit të fundit rregullator, i cili ka të bëjë me procedurat e vlerësimit të fletëve të votimit dhe të kryerjes së procesit të numërimit në KQZ dhe besoj që brenda kësaj jave Komisioni Rregullator do të miratojë edhe këtë akt të fundit. Në fakt duhet të jetë i parafundit, pasi formalisht do të duhet të marrë vendimin për realizmin për herë të parë të votimit nga jashtë. Vendim i cili vjen pasi vlerësohet që janë marrë të gjitha masat e karakterit organizativ, logjistik, njerëzor për zhvillimin e këtij procesi dhe besoj para fundit të këtij viti do të merret edhe ky vendim nga ana e Komisionit Rregullator”.

Celibashi theksoi se, “deri në momentin që ne flasim nuk janë evidentuar probleme dhe duket sikur gjërat janë duke ecur ashtu sikur është parashikuar në ligj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë