Politike

Celibashi: Identifikimi elektronik i zgjedhësve eliminoi një gamë të madhe problemesh

Nga Gazeta ‘Si’- Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, duke iu përgjigjur pyetjeve gjatë raportimit në dy komisionet parlamentare, për veprimtarinë e KQZ-së, përsëriti sërish se i qëndron raportit të OSBE/ODIHR sa i përket zgjedhjeve të 11 majit.

Ai tha se bashkëpunimi me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme ka qenë sukses dhe se ka kontribuuar në mënyrë pozitive në procesin e zgjedhjeve të këtij viti.

Duke u ndalur te identifikimi elektronik, ai e vlerësoi si të suksesshëm teksa tha se në vitin 2021 ka pasur 10 mijë raste dublikimi, një shifër që tani është ulur në 1 mijë.

Edhe votimin nga jashtë e konsideroi si sukses, ndërsa tha se “nuk dua që të sfidoj kënd, kur them se votimi nga jashtë ishte një sukses”.

“Së pari në lidhje me raportin paraprak të ODIHR mbi zgjedhjet e vitit 2025, sikurse e kam bërë publik qëndrimin tim, unë nuk shtoj asgjë më shumë në fjalitë që përbëjnë këtë raport. Nuk preferoj ta komentoj apo të riformuloj atë çfarë me kryefjalë, kallëzues apo kundrinor ka pasqyruar me qëndrimin e tij ODIHR për zgjedhjet e vitit 2025.

KQZ aty ka vlerësime edhe për punën e aktorëve me procesin zgjedhor, KQZ, qeveri, parti, media etj dhe shihet se sa i përket veprimtarisë së KQZ dhe mënyrës se si i përcolli përgjegjësitë e veta ka vlerësime pozitive sa i përket qasjes profesionale, të paanshme dhe transparente të KQZ në përgatitjen dhe administrimin e këtij procesi, ka edhe vërejtje.

Për identifikimin elektronik të zgjedhësve, kemi arritur të eliminojmë një gamë të madhe problemesh në procesin e votimit shifrat tregojnë se si ato të zgjedhjeve të 2021, 2023 dhe 2025, që procesi i identifikimit të votuesve në qendrat e votimit është mjaft solid dhe unë për vete do ta përkufizoja si me integritet.

Nëse kishim 10 mijë dublikime në 2021, tani kemi 1 mijë ose 1200 rastesh të dyshuara. Sa i përket votimit elektronik do të rekomandoja që votimi, të paktën për sistemin që aplikojmë të zgjerohej edhe më tej. Ka vend për të adresuar çështjen e marrëdhënies ndërmjet operatorëve me pajisjet. Ne nuk kemi dërguar asnjë prej operatorëve për ndjekje penale për përdorimin e pajisjeve të përdorimit elektronik. Në vlerësimin tonë, problematikat kanë qenë të karakterit administrativ, nuk e kemi vlerësuar si të karakterit penal. I kemi gjobitur por kemi konsideruar se ka qenë e mjaftueshme”, tha ai.

Ndërkohë nënkryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Damian Gjiknuri kërkoi zgjidhje urgjente për rreth 50 mijë shqiptarët me aftësi të kufizuara dhe që nuk mund të votojnë dot.

Ai tha se është paradoks që janë harxhuar miliona për të mundësuar votën e diasporës, ndërkohë që nuk është bërë asgjë për këta që jetojnë brenda Shqipërisë, dhe që nuk mund të dalin dot për të votuar në ditën e votimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë