Nga Gazeta ‘Si’– Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha se duhet një reformë e re zgjedhore, me qëllim sigurimin e integritetit të plotë të zgjedhjeve në Shqipëri, nisur nga gjetjet paraprake të raportit të OSBE-ODIHR për 11 majin.
Në tryezën e zhvilluar nga organizata të shoqërisë civile, Celibashi bëri një përmbledhje të gjetjeve paraprake të misionit të OSBE-ODIHR në Tiranë për zgjedhjet e 11 majit.
“Sipas këtyre vlerësimeve fushata u fokusua në sulme armiqësore dhe personale veçanërisht nga dy liderët e dy partive kryesore politike në vend. Fushata u karakterizua nga një ton konfrontues dhe i polarizuar në kushtet e përdorimit të një gjuhe përçarëse nga dy partitë kryesore politike dhe përpjekjet për të ndikuar padrejtësisht tek votuesi.
Vëzhguesit evidentuan përdorimin e burimeve shtetërore ku përfaqësues të lartë të qeverisë u angazhuan në aktivitete të shumta zyrtare që shpesh përkonin me mesazhe të fushatës dhe që përfshinin prezantimin e programeve dhe përfitimeve sociale si dhe të projekte të infrastrukturës, duke i dhënë partisë në pushtet një avantazh të padrejtë, thuhet në vlerësimet paraprake të këtij misioni. Mungoi raportimi i pavarur duke cenuar rolin mbikëqyrës të medias”, tha Celibashi.
Celibashi tha se duhet që me konstituimin e Kuvendit të ri në shtator të nisë puna për të adresuar në mënyrën e duhur të gjitha problematikat që lidhen me procesin zgjedhor.
“Do duhet të vlerësojmë se çfarë, secili prej aktorëve politikë dhe institucionale do të duhet të bëjë ndryshe apo edhe më mirë në kuadër të përgjegjësive që ata kanë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Celibashi.
Celibashi bëri thirrje për një reformë gjithpërfshirëse dhe me një konsensus të gjerë politik.
“Mazhoranca e PS-së shpresoj që mos të jetë pengesë nga pikëpamja formale për të pasur gjithëpërfshirëse dhe konsensus në atë se çfarë duhet reformohet në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri”, tha Celibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.