Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi pak pasi vizitoi disa qendra votimi në Vorë, ku më parë u raportuan incidente dhe përplasje mes Flamur Nokës e aktivistëve të PS, bëri thirrje që kandidatët të shmangin presionet ndaj zgjedhësve.
Pas votimit, Celibashi foli sërish për mediat duke thënë se ata që shkelin ligjin në lidhje me procesin zgjedhor do të mbahen përgjegjës nga institucionet përkatëse.
Gjithashtu ai tha se fotografimi i votës nga votuesit do të marrë përgjigjen e duhur nga drejtësia, teksa theksoi se qytetarët që kryejnë këto lloj shkeljesh mund të ndëshkohen me minimumin 3 vjet burgim.
“Për të gjithë ata, të cilët janë në atë idenë që angazhimi i tyre mund të kontribuojë përtej votës në procesin zgjedhor, do të marrë përgjigjen e duhur nga organet përkatëse. Minimumi tre vjet. Dhe ky mesazh është i qartë për të gjithë, për çdo natyre paligjshmërie në këtë proces.
Është shumë e rëndësishme që jo vetëm politikanët, partitë politike por edhe qytetarët kanë përgjegjësi në lidhje me procesin zgjedhor. Është e rëndësishme që personat që nuk kanë lidhje me procesin zgjedhor dhe me QV-të, ose ata persona me precedentë penalë është mirë të qëndrojnë larg qendrave të votimit”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




