Muzike

‘Celebration Tour’ i Madonës nis nga Londra: Mjekët mendonin se nuk do ia dilja

Ajo njihet si Mbretëresha e Pop-it. Turneu i saj botëror “Celebration” me 78 data në 15 vende filloi dje nga O2 Arena në Londër.

Në skaletë janë të përfshira 47 nga hitet e saj, duke përfshirë hitet përcaktuese të epokës Ray Of Light, Like A Prayer dhe Holiday, të cilat ylli i performoi duke veshur 17 kostume ikonike të rikrijuara për këtë rast. 4 nga fëmijët e Madonës u ngjitën gjithashtu në skenën e madhe. Madona u prek nga infeksion i rëndë bakterial këtë verë dhe qëndroi e shtruar në spital për disa ditë, ndërsa u tha fansave: “Nuk mendoja se do t’ia dilja. Dhe as mjekët e mi”.

Ajo shprehu edhe dhimbjen e saj për situatën në Izrael dhe Palestinë. “Është kaq e dhimbshme të dëshmosh këtë situatë”, tha ajo. “Më thyhet zemra kur shoh fëmijë që vuajnë, adoleshentë që vuajnë, të moshuar që vuajnë. Jam e sigurt që edhe ju jeni dakord”, u shtoi ajo fansave të ardhur nga e gjithë Britania e Madhe dhe më gjerë.

Koncerti, i reklamuar si hitet e para live të Madonës, nuk i zhgënjeu pritshmëritë. E ndihmuar nga kostumet vintage, ylli i pop-it udhëtoi në kohë në një karrierë dyzetvjeçare që e ka parë atë të bëhet një ikonë, duke nënvizuar ndikimin e rrugëtimit të saj artistik në kulturën popullore. Koncerti në Londër u hap me këngën Nothing Really Matters nga albumi Ray Of Light, teksti i të cilit drejtpërsëdrejti u drejtohet fansave: “Nuk do të jem më e njëjta për shkakun tuaj”.

E vetme në skenë, e ndriçuar nga një sistem mbresëlënës rrethor ndriçimi (më shumë se 600 drita në skenë, duke përfshirë 14 dritat e vëmendjes mbi të), Madonna ishte veshur me të zeza, projektuar nga Gaultier. Por çdo këngë sillte një surprizë në skenë që kujtonte ambientin e periudhës: nga truporja rozë e ‘Hung Up’ deri tek kostumet dominuese të ‘Erotica’. Skena rrethore me tre nivele u krijua gjithashtu për t’i ngjarë “tortës së dasmës” nga e cila ajo performoi Like A Virgin në MTV Awards 1984.

Në pjesën fillestare të spektaklit, kushtuar viteve të para-famës në Nju Jork, pasi Madonna kishte marrë një kitarë dhe performoi një nga këngët e saj të para, Turning Up, sistemi i zërit u prish për disa minuta. Por ylli, në vend që të largohej nga skena, argëtoi publikun e saj. “Kjo është pikërisht ajo që ju nuk dëshironi të ndodhë në natën tuaj të hapjes”, vuri në dukje ajo.

Një tjetër moment prekës u dha nga Madonna kur, gjatë Live To Tell, në ekran u hodhën imazhet e miqve që Madonna humbi nga SIDA. Por sigurisht ndër momentet më prekëse ishin edhe ndërhyrjet e fëmijëve të yllit në skenë: Mercy, 17, shoqëroi nënën e saj në piano për Bad Girl; Stella, 11 vjeç, iu bashkua koreografisë së Don’t Tell Me, djali i saj i adoptuar David luajti në kitarë gjatë Mother And Father, kënga e vitit 2003 kushtuar nga Madonna vdekjes së nënës së saj, dhe e cila u shoqërua gjithashtu me imazhe të nënës biologjike të Davidit.

Këngët përmbyllëse përfshinin Bitch, I’m Madonna dhe Celebration për të pretenduar rolin e ikonës transgresive, këngët e së cilës sot nuk janë më vetëm për të kërcyer, por edhe për t’u studiuar si himne të brezave të protestës, vetë-zbulimit dhe lirisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë