Nga Gazeta ‘Si’- Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela iu përgjigj pyetjes së deputetit të PD, Agron Gjekmarkaj në lidhje për krimet zgjedhore.
Çela bëri me dije se aktualisht janë në hetim disa çështje penale të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, që lidhen me përdorimin e administratës publike dhe të fondeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore.
Sipas tij, hetimet për këto çështje janë ende në proces dhe rezultatet pritet të bëhen të ditura brenda këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
“Janë një sërë çështjesh penale që ka filluar hetimi, ku edhe për veprën që ju referoheni nga të dhënat rezulton se janë disa çështje penale, janë të shpërndare në të gjithë territorin që lidhen me përdorimin e administratës publike, apo edhe me përdorimin e fondeve publike në fushatë zgjedhore. Këto janë në hetim dhe një rezultat i hetimeve mbetet për tu parë këtë vit apo në vitin tjetër. Janë gjyqtarët që do të vlerësojnë”, tha Çela.
Pyetje: Sa procedime penale për pastrim parash janë regjistruar nga viti 2022 deri tani?
Çela: “Në vitin 2020 është riorganizuar puna në Prokurori pikërisht për këto vepra penale, në 7 prokurori kemi seksione të posaçme. Për t’i dhënë efikasitet kësaj pune, kemi përgatitur një memorandum për të koordinuar aktivitetin tonë me të gjitha institucionet.
Të dhënat për sekuestrime të pasurive të paluajtshme janë pozitive. Nuk mund të them sot se ku gjenden këto apartamente apo sipërfaqe të sekuestruara, por ajo që ka rëndësi është qasja pozitive në drejtim të organizimit të punës. Shifrat janë konkrete.”
Pyetje: A është rritur numri i referimeve nga Drejtoria e Tatimeve dhe institucioneve të tjera të inteligjencës financiare për veprat penale pastrim i parave?
Çela: Ka edhe shumë për të bërë në këtë drejtim. Nuk mendoj se situata është e kënaqshme. Presim më shumë kontribute nga Drejtoria e Tatimeve sa i përket referimit të veprave penale që lidhen me pastrimin e parave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



