Kombetarja

Shqipëria reziston në Pragë, Bajrami dhe Berisha na japin një pikë të artë

Gazeta Si – Barazim 1-1 në Pragë nga kuqezinjtë, të cilët ruajnë pozitat në renditje, duke mbetur 1 pikë pas çekëve kryesues. Një rezultat ky që shton edhe më shumë shanset dhe motivimin e Kombëtares për kualifikimin në Euro 2024. Pas 3 ditësh sfida me Poloninë, ku fitorja do të kishte vlera të mëdha.

Etrit Berisha ishte vendimtar me dy pritje, kurse Bajrami realizoi një eurogol me një gjuajtje nga distanca. Skuadra e trajnerit Silvinjo u mbrojt fort dhe në fund ia doli të merrte rezultat pozitiv.

Bajrami feston golin e barazimit. Gazeta Si, 7 shtator 2023

Trajneri brazilian preferoi Seferin në sulm para Uzunit dhe Asllanin në mesfushë para Gjasulës dhe Bares. Skuadra jonë ishte e vendosur mirë në fushë dhe la pak hapësira. Në pak raste Berisha neutralizoi rastet e çekëve. Vetëm në fundin e pjesës së parë Cikalleshi u shfaq rrezikshëm në zonën kundërshtare.

Me fillimin e pjesës së dytë, çekët kaluan në avantazh, por VAR-i evidentoi një pozicion jashtë lojë. E kundërta ndodhi disa minuta më pas kur goli i anuluar i Çernit u vlerësua i rregullt nga teknologjia. Silvinjo ndërhyri menjëherë nga stoli, duke aktivizuar Dakun për Cikalleshin.

Për barazimin mendoi Bajrami me një kryevepër që në fund të eliminatoreve mund të vlejë shumë. Ai tundi rrjetën çeke me një goditje të bukur nga jashtë zonës. Në fushë për kuqezinjtë u futën edhe Bare, Muja dhe në fund Uzuni dhe Gjasula. Çekët vuajtën presionin e rezultatit dhe mund të ishin ndëshkuar, nëse Daku do të kishte pasuar saktë për Bajramin ose Mujën.

Berisha tregoi vlerat e tij me një pritje vendimtare, pas një gjuajtje me kokë të Krejçit. Shqipëria adminsitroi mirë edhe 7 minutat shtesë dhe pas vërshëllimës përfundimtare të anglezit Tejlor iu gëzua pikës së fituar në Pragë. Kuqezinjtë kanë 7 pikë pas 4 ndeshjesh dhe mbajnë vendin e dytë. Tani radhën e ka Polonia në “Air Albania”.

Episodet

Mbyllet ndeshja 1-1

84′ – Rast i artë i kuqezinjve pas një kundërsulmi, por Daku gabon pasin final.

74′ – Berisha neutralizon një gjuajtje shumë të rrezikshme me kokë të Krejçit.

66′ – Nedim Bajrami realizon një eurogol. Lojtari kuqezi merr një top jashtë zonës dhe në pozicion ballor me portën shkarkon të djathtën, duke mos i dhënë asnjë shans portierit kundërshtar.

60′ – Debuton Daku, merr vendin e Cikalleshit.

56′ – Cekia në avantazh. Cerni merr një top në zonë dhe mposht Berishën. Asistenti i tij ngre flamurin për pozicion jashtë loje, por VAR-i e quan golin të rregullt.

47′ – Provod e dërgon topin në rrejetën e Berishës, por ka një pozicion jashtë loje të futbollistit çek.

45′ – Top i gjatë për Cikalleshin, i cili e ul në zonë, por ka një ndërhyrje ndaj tij. Anësori sinjalizon pozicion jashtë loje.

42′ – Souçek gjuan brenda zonës, Ismajli devijon topin në goditje këndi, duke shpëtuar ekipin.

24′ – Berisha devijon topin me majat e gishtave, pas një gjuajtje me kokë të çekëve.

12′ – Gjuajtja e parë drejt portës nga Çerni, pret Berisha në pozicion.

Çeki-Shqipëri -1-1
Çekia: Pavlenka, Brabec, Holes, Krejçi, Çufal, Souçek, Kral, Provod, Çerni, Kushta, Çvançara. Trajner: J.Shilhavi
Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj, Ramadani, Asllani (Bare), Seferi (Uzuni), Bajrami (Gjasula), Asani (Muja), Çikalleshi (Daku). Trajner: Silvinjo


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë