Alexander Ceferin, presidenti i UEFA-s, do të vijë të enjten në Tiranë për një vizitë pune, ku së pari do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe më pas edhe me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
Lajmi konfirmohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, që me një njoftim zyrtar bën të ditur edhe axhendën e presidentit të UEFA-s: “Kreu i qeverisë së futbollit europian do zhvillojë një takim në orën 15:00 me kryeministrin Edi Rama dhe më pas do të pritet nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ku do të diskutohet për problematikat e incidenteve të fundit lidhur me procesin zgjedhor dhe organizimin e finales historike të UEFA Europa Conference League në stadiumin “Air Albania” më 25 maj”.

Pak ditë më parë u tha se Ceferin do të vinte të hënën në Tiranë, por kjo gjë nuk ndodhi. Tani lajmi është zyrtar dhe mbetet të shihet qëndrimi i drejtuesit slloven të UEFA-s në lidhje me zgjedhjet e 2 marsit për presidentin e FSHF-së, që kanë marrë shumë vëmendje në vendin tonë pas polemikave që përfshinë kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, por edhe për incidentin e tritolit pranë shtëpisë së Dukës.
Sigurisht që Ceferin është më shumë i interesuar për të pasur garanci për finalen e Ligës së Konferencës, që zhvillohet më 25 maj në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




