Analize

Ç’duhet të dini për Ligjin e Gjuhëve në Maqedoni, çfarë kontestohet, nga kush dhe a është shqipja në rrezik?

Nga Gazeta ‘Si’ - Historia e rregullimit të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është më e vjetër se Kushtetuta e vendit.

Para Kushtetutës së vitit 1991, parashikoheshin të drejta për shtetasit e të gjitha kombësive që jetonin brenda shtetit.

Por kjo ndryshoi kur në 1991 u bënë përpjekje për të krijuar një Kushtetutë me fokus shtet-kombin, dhe gjuha maqedonase, me alfabetin e vet cirilik, u përcaktua gjuhë e vetme zyrtare.

Atëbotë, kjo rezultoi e papërshtatshme për një shtet shumëkombësh sikurse Maqedonia e Veriut dhe nën vazhdën e këtyre zhvillimeve përdorimi i gjuhës shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare, përfaqësimi në Parlament dhe në institucione tjera, nxitën konfliktin e armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonasve në vitin 2001.

Konflikti, përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit. Me këtë Marrëveshje, Kushtetuta u ndryshua përmes 15 amendamenteve, të cilat rregulluan edhe përdorimin e gjuhëve të tjera në vend, përveç asaj maqedonase.

U vendos që gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut është gjuha maqedonase dhe gjuhët e tjera që fliten nga mbi 20 për qind e qytetarëve të vendit (shqipja).

Sipas regjistrimit të popullsisë më 2021, Maqedonia e Veriut ka rreth 2 milionë banorë, nga të cilët 54 për qind janë maqedonas, 29 për qind shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë pjesëtarë të komuniteteve më të vogla.

Por çfarë është dhe çfarë solli Ligji për përdorimin e gjuhëve?

Ligji për përdorimin e gjuhëve që përbëhet nga 25 nene, hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017.

Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, Ligji për gjuhët u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin: “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në dhe në uniforma policore”. Pas miratimit, ligji u kundërshtua nga 13 iniciativa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme.

Prej pesë vitesh tashmë, ai po qëndron në sirtarët e Kushtetueses.

Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja (sot në pushtet) nuk mori pjesë në seancë. Ajo kontestonte çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij.

Ashtu si Ivanov, edhe opozita e cilësoi ligjin si antikushtetues.

Për çfarë po kontestohet ky ligj?

Në raportin përmbledhës të Gjykatës Kushtetuese, për atë që është objekt i kundërshtimit të 13 nismave, thuhet se iniciatorët e kundërshtojnë për faktin që nuk duan që një gjuhë e komuniteteve jo shumicë, të barazohet me gjuhën zyrtare që flitet në gjithë Maqedoninë e Veriut.

"Iniciatorët kundërshtojnë tërësinë e Ligjit nga aspekti i Amendamentit V të Kushtetutës, sepse zgjeronte kornizën kushtetuese të dhënë në këtë amendament në lidhje me përdorimin e gjuhëve të komuniteteve joshumicë dhe përcaktonte barazinë e një gjuhe tjetër që flitet nga të paktën 20% e qytetarëve, me gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare", thekson raporti.

Nenet apo pjesët e neneve për të cilat propozohet nisja e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë, janë gjithashtu pjesë e vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Cilat janë vlerësimet e Komisionit të Venecias?

Në 2019-n, Komisioni i Venecias dha vlerësim për Ligjin për gjuhët, duke thënë se disa dispozita të tij tejkalonin standardet ndërkombëtare për gjuhët rajonale dhe të pakicave.

Komisioni kërkoi:

*-Rishikimin e dispozitave për dygjuhësinë në procedurat gjyqësore, duke rekomanduar që këto përcaktime të hiqen ose të kufizohen, për shkak të vështirësive teknike dhe administrative që mund të shkaktojnë.

*-Masa për zbatimin efikas të kërkesave gjuhësore, bazuar në dispozitat e Ligjit të mëparshëm të vitit 2008, për të garantuar zbatueshmërinë e tyre pa krijuar konfuzione, ndonëse ai, sipas njohësve të drejtësisë, përfshinte një interpretim të ngushtë.

*-Revidimin e nenit 3 të Ligjit për gjuhët, i cili parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimet institucionale dhe fusha të tjera, duke kërkuar një përcaktim më të qartë të fushës së zbatimit për të shmangur keqkuptimet dhe konfliktet në praktikë.

Opozitë vs Pushtet / Qëndrimet e VMRO-DPMNE për ligjin

Gjatë kohës që ishtë në opozitë, VMRO DPMNE-ja e ka kundërshtuar vazhdimisht ligjin dhe u zotua se do të bënte korrigjime në momentin që do të vinte në pushtet.

Narrativa e tyre linte të kuptohej se “shqiptarët kishin siguruar më shumë të drejta nga se u takojnë”.  Por tashmë, që erdhi në pushtet, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, deklaroi se  nuk po kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy-tri dispozita”.

Ai u shpreh se “situata është në kontroll” dhe iu bëri thirrje qytetarëve shqiptarë dhe maqedonas që të jenë të qetë.

“Të mos lejojmë të biem pre e provokimeve të këtyre njerëzve”, deklaroi Mickoski referuar komenteve të kreut të BDI në opozitë, Ali Ahmetit i cili qysh prej se ligji nisi shqyrtimin në Kushtetuese ka deklaruar se do ta mbrojë me çdo kusht gjuhën shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë