Shendet

Ç’duhet të bëni për të mos u sëmurë gjatë pushimeve të fundvitit

Në fundvit, miliona njerëz do të udhëtojnë brenda dhe jashtë vendit të tyre për sezonin e festave dhe ndërsa shtohen grumbullimet, rriten edhe rastet e sëmundjeve të frymëmarrjes, si gripi, Covid-19 apo dhe RSV.

Këto viruse përhapen më mirë kur njerëzit mblidhen në ambiente të mbyllura në afërsi të njëri-tjetrit. Për të mbrojtur shëndetin, mjekët japin disa këshilla që kushdo mund t’i ndjekë.

Flini mjaftueshëm gjumë

“Është një këshillë e thjeshtë, por është tepër efektive. Privimi i gjumit mund të ketë një ndikim mjaft të rëndësishëm në mirëqenien tuaj”, thotë Bernadette Boden-Albala, themeluese e Programit të Shëndetit Publik të Universitetit të Kalifornisë, Irvine.

Gjatë periudhave ku nuk flini mjaftueshëm, trupi prodhon më pak antitrupa dhe qeliza që luftojnë infeksionin. Si rezultat, rreziku për t’u prekur nga një sëmundje infektive, përfshirë ftohjen e zakonshme, mund të rritet, tregojnë studimet.

Boden-Albala e di se mund të jetë e vështirë të bësh një gjumë të mirë gjatë festave por nëse mund të flesh për rreth shtatë deri në nëntë orë çdo natë ia vlen.

Bëni vaksinën e gripit

Boden-Albala thotë se vaksinimi është shumë i rëndësishëm. Për të, vaksinat kundër gripit dhe Covid-19 janë të rëndësishme pasi ne shohim shumë lloje të viruseve këtë vit.

Ky është, në fakt, viti i parë që kemi vaksina për t’u mbrojtur kundër të tre viruseve më të zakonshme të frymëmarrjes: COVID, grip dhe, së fundi, RSV.

Këto vaksina do të ofrojnë mbrojtjen më të mirë kundër viruseve që qarkullojnë aktualisht, sipas Boden-Albala.

Lani duart shpesh

Delana Wardlaw, epidemiologe, thotë se larja e duarve është një nga mënyrat më të thjeshta për të shmangur infektimet.

Në rastet kur nuk është e mundur larja e duarve, përdorimi i dezinfektuesit me 60% alkool është efikas.

Mjeku Marc Kai bën të njëjtën gjë.

“Është ndoshta gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, dhe veçanërisht është e rëndësishme gjatë festave pasi ne priremi të kalojmë më shumë kohë me njerëzit dhe sistemi imunitar mund të mos jetë si më parë,” tha ai.

Sa shpesh duhet t’i lani duart? Sipas Wardlaw, në mënyrë ideale, sa herë që prekni ushqimin, kafshën tuaj shtëpiake, një person tjetër ose një sipërfaqe të përbashkët (si një dorezë dere ose ekran me prekje).

Qëndroni fizikisht aktiv

Kai gjithashtu i kushton rëndësi të qëndrojë fizikisht aktiv gjatë festave. Ai e bën këtë për dy arsye: për shëndetin e tij dhe përfitimet shëndetësore fizike.

Ushtrimi është një qetësues efektiv i stresit, sepse bën që trupi ynë të prodhojë endorfinë, ose hormone të ndjeshmërisë që mund të rrisin humorin tonë. Sipas CDC, aktiviteti i rregullt fizik promovon gjithashtu kontrollin e sheqerit në gjak, shëndetin e trurit dhe zemrës dhe menaxhimin e peshës. Është gjithashtu i lidhur me një rrezik më të ulët të sëmundjeve infektive të fituara nga komuniteti duke e bërë potencialisht sistemin imunitar më efektiv, sipas një studimi të botuar në 2021.

Mundohuni të mbani mikrobet jashtë shtëpisë

Ekspozimi ndaj mikrobeve është i pashmangshëm, sidomos gjatë festave të fundvitit.

“Midis udhëtimeve, mbledhjeve me të dashurit dhe madje edhe kthimit në shtëpi nga puna apo shkolla, njerëzit shpesh harrojnë se mikrobet e të ftohtit dhe gripit mund të fshihen në qindra sipërfaqe të zakonshme që hasim çdo ditë”, thotë Eva Beaulieu, mjeke.

Virusi i gripit, për shembull, mund të jetojë në sipërfaqe të caktuara deri në 48 orë, sipas CDC. Një studim i fundit nga Kolegji Imperial në Londër zbuloi se COVID kryesisht përhapet përmes sipërfaqeve shtëpiake që preken shpesh (si frigoriferi, lavamani i kuzhinës dhe filxhanët e kafesë).

Për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së mikrobeve brenda shtëpisë, Beaulieu i përmbahet rregullit “të mos ketë sende të jashtme brenda”.

Për shembull, të mos fusësh këpucët brenda shtëpisë apo dhe valixhet të mos i lësh në krevat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë