Zëdhënësi i i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagu për politikat evropiane, Florian Hahn flet sërish për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe dialogun Kosovë-Serbi. Sa i përket dorëzimit të mandateve të opozitës, Hahn e cilëson si një gabim të rëndë ndërmarrjen e një akti të tillë.
Duke theksuar se nuk ka marrë reagim direkte nga PD-ja për qëndrimet e mbajtura nga partia e Merkel për reagimet ekstreme të opozitës, Hahn shprehet se “unë kam mirëkuptim për demonstrata paqësore, për protesta paqësore, por është e gabuar të bojkotohet pikërisht ai vend ku duhet të zhvillohet debati politik në një demokraci, pra, Parlamenti. Më kujtohet fare mirë, kur Partia Demokratike ishte në pushtet dhe socialistët bojkotonin Parlamentin. Unë e kam kritikuar atëherë këtë në të njëjtën mënyrë. Nuk kam asgjë kundër protestave, por parlamenti, si bërthama qenësore e demokracisë, nuk duhet bojkotuar kurrsesi”.
Gjithashtu zëdhënësi i CDU/CSU i bën thirrje kandidatëve të opozitës që janë në listën e fituesve të zënë vendet e lëna bosh në Parlamentin shqiptar, duke e cilësuar si një gabim të rëndë faktin që PD-ja ka vendosur që edhe zëvendësuesit të djegin mandatin.
“Kjo është një situatë e vështirë: Zakonisht ka një pasardhës për dikë që lëshon një mandat. Nëse ka njerëz të arsyeshëm që janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë këta duhet të zënë vendet e mbetura bosh. Ky ishte një gabim i rëndë dhe në fakt nuk është partia ajo që vendos për mandatin. Kjo është pyetja tjetër sesi kuptohet demokracia. Janë njerëzit, përfaqësuesit e popullit që janë zgjedhur dhe jo partia, ata që vendosin nëse dikush do ta dorëzojë mandatin apo jo”, theksoi Hahn.
Zyrtari i CDU/CSU në intervistën e tij insiston që këshilla ka pasur për të mos bojkotohet Parlamenti, si dhe i kërkon mundësisht opozitës që të braktiset kjo rrugë e nisur, e kjo në mënyrën që sërish të krijohet një një bashkëpunim normal me njëri-tjetrin, ose edhe kundër njëri-tjetrit, por në kuadër të Parlamentit, ashtu siç e parasheh demokracia.
Ai është edhe skeptik sa i përket kërkesës së opozitës për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“E çfarë do të mësonin partitë nëse do të imponoheshin zgjedhje të reja në një mënyrë që nuk parashikohet nga kushtetuta? Ta zëmë se do të kishim kështu një parti tjetër në pushtet. Çfarë do të mësonte partia opozitare nga kjo? Ajo do të mësonte se duke bojkotuar sistemin dhe duke dorëzuar mandatet sërish mund të imponoheshin zgjedhje të reja. Këtu shtrohet pyetja se ku dëshiron të shkojë Shqipëria? Dëshiron të jetë një vend i qëndrueshëm demokratik, dëshiron të bëhet pjesë e BE-së? Opozita bën mirë që i shoqëron në mënyrë kritike proceset reformuese. Por jo bojkoti, bojkoti nuk është i përshtatshëm për përkrahjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së”, thekson Hahn.
Sa i përket plotësimit të kushteve për çeljen e negociatave, Hahn thekson se në disa aspekte shohin se nuk është bërë asnjë lëvizje, në aspekte të tjera ka përmirësime të mëdha, si për shembull, në procesin e Vettingut. Por situata aktuale, sipas tij, e sidomos bojkotimi i parlamentit është një hap i madh prapa.
Por sa i përket fajtorit të kësaj situate, ai thekson më tej se “ne e shohim Shqipërinë si një të tërën. Për ne është me rëndësi që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj edhe duam që ajo të jetë e qëndrueshme dhe të ndajë me ne vlerat tona demokratike. E këtu ka së paku shumë pikëpyetje”.
“Nëse Shqipëria nuk hap negociatat, përgjegjësia e opozitës”
Një ditë para mbërritjes në Shqipëri, eurodeputeti Kristian Dan Preda, pjesë e delegacionit të Parlamentit Europian, tha se vendi ynë po kalon një krizë të thellë politike. Në një intervistë, Preda shprehet se deputetët kanë përgjegjësi për mandatin e dalë nga populli dhe se nëse Shqipëria do të humbasë këtë rast për hapjen e negociatave, përgjegjësia do të bjerë mbi opozitën.

Eurodeputeti Kristian Dan Preda
“Interesi i Shqipërisë është që të mos humbasë këtë rast të hapjes së negociatave. Ka rrezik që opozita të stigmatizohet si bllokuese dhe është për të ardhur keq, sepse e di që eurodeputetët e opozitës janë pro-europianë. Dhe nga ana tjetër, ekziston rreziku që pushteti të bëhet edhe më i fortë se ç’është sot, pra një devijim autoritar që është një pengesë edhe më e madhe lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pra, unë si mik i popullit shqiptar do të isha shumë i trishtuar të shoh që kjo ndarje totale e qeverisë me opozitën rrezikon të bllokojë hapjen e negociatave. Sepse të jemi të qartë”, thotë eurodeputeti, duke theksuar se ka ende zëra në Bashkimin Europian që nuk janë shumë entuziastë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe mund t’a përdorin situatën aktuale për të thënë jo.
Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, eurodeputeti thekson se nëse forcat politike bien dakord, Europa do t’i mbështesë.
“ Është një situatë krejtësisht e re. Nëse forcat politike bien dakord për organizimin e zgjedhjeve të reja, siç ka ndodhur më parë, Europa do ta mbështesë, por ne nuk mund të imponojmë një zgjidhje. Kriza duhet zgjidhur. Nëse situata është e tillë, që sytë janë i vetmi mjet komunikimi, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje. Por nëse politikanët do të kenë pak më zgjuarsi sesa po na tregojnë këto ditë, mund të gjendet një zgjidhje që nuk kalon përmes zgjedhjeve”, deklaron Preda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





