Opozita ka zbardhur strategjinë që do të ndjekë në ditët në vijim për të arritur sipas saj të rrëzojë nga pushteti kryeministrin Rama.
Pas dorëzimit të mandateve parlamentare, mësohet se opozita do të protestojë për dy të enjte radhazi përballë Parlamentit dhe të shtunën e 16 marsit tek Kryeministria, duke mos e lënë të qetë në marrjen e vendimeve shumicën e dalë sipas saj nga zgjedhjet e blera me krimin. Vendimi është marrë gjatë ditës së sotme në mbledhjen e kryetarëve të Partisë Demokratike në rrethe.
Seanca e ardhshme pritet të jetë në 28 shkurt, kështu që në të njëjtën ditë është parashikuar edhe protesta te Parlamenti.
Nëpërmjet këtij vendimi opozita beson se do të detyrojë kryeministrin Rama të tërhiqet nga pushteti dhe t’i hapë rrugë një qeverie tranzitore, që do të sigurojë sipas zgjedhje të lira e të ndershme në vend.
Ndërkohë, pas mbarimit të mbledhjes, kryetari i PD-së Lulzim Basha, ka dhënë një deklaratë për mediat ku bëri të ditur se në datën 16 mars shqiptarët do të mblidhen sërish para kryeministrisë.
“Më datën 28 Shkurt, më datën 7 Mars do të organizohen protesta kombëtare para asamblesë kriminale që ka uzurpuar godinën e Kuvendit të Shqipërisë. Dhe më 16 Mars do të zhvillohet një tjetër protestë e madhe kombetare me qëllim rrëzimin e uzurpuesit të qeverisjes së Shqipërisë, Edi Ramës, protesta që do kenë për qëllim bashkimin e qytetarëve, për reagimin e papërgjegjshmëm të klikës kriminale që është kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve. Hapi që kemi hedhur nuk është pa kthim vetëm për opozitën, është pa kthim edhe për Edi Ramën. Ne nuk do t’i lëmë zgjedhjet e ardhshme në dorë të narko-mafias. Opozita do të marrë të gjitha masat, protestë pas proteste pa asnjë pengesë dhe frenim të zemërimit popullor deri sa ta shporrim këtë bandit dhe hajdut me karriget që ka vjedhur me paratë e krimit. Sezoni i protestave vetëm sa ka nisur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




