Para

Efekti i masave të qeverisë? Ulet paraja cash në qarkullim

Nga Gazeta ‘SI’ – Në fillim të vitit 2026, më pak para qarkulluan jashtë sistemit bankar, ndërsa likuiditeti në ekonomi u rrit. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në janar 2026, 481 miliardë lekë ndodheshin jashtë sistemit bankar, duke shënuar një rënie prej 2 miliardë lekësh krahasuar me dhjetorin 2025.

Paralelisht, treguesit e tjerë monetarë në rritje tregojnë një zhvendosje të parasë drejt sistemit bankar. Agregati M3, i njohur si paraja e gjerë, u rrit në 1.98 trilionë lekë, nga 1.94 trilion në dhjetor.

Në janar 2026, agregati M1 (paraja jashtë bankave, së bashku me llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa përfshirë qeverinë) u rrit me rreth 21 mld lekë krahasuar me dhjetorin, duke arritur në 988 mld.

Ndërkohë, agregati M2, që përfshin M1 plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, u rrit me 27 miliardë lekë brenda një muaji, duke arritur në 1.121 trilionë lekë.

Plani i qeverisë

Ky fenomen mund të lidhet edhe me nismat e qeverisë për të kufizuar përdorimin e parasë cash dhe miratimin e paketës së masave të reja. Prej 1 janarit, individët nuk lejohen të kryejnë blerje me vlerë mbi 500 mijë lekë në cash, ndërsa bizneset ndalohen të kryejnë transaksione cash mbi 100 mijë lekë me subjekte të tjera.

Një tjetër element kyç i kuadrit të ri ligjor është detyrimi për pajisjen me terminale POS për të gjitha bizneset, veçanërisht ato në sektorët e shërbimit, akomodimit, transportit dhe tregtisë, me qëllim lehtësimin e pagesave elektronike. Bizneset e këtyre sektorëve kanë afat deri më 31 maj 2026, ndërsa për subjektet e tjera afati përfundon më 31 dhjetor 2026.

Masat u miratuan pak muaj pasi kryeministri i vendit, Edi Rama, shprehu ambiciet e tij për ta bërë Shqipërinë, vendin e parë në botë pa para të thata. Momentalisht, Shqipëria renditet e treta në botë, përdorimin masiv të cash-it.

Gjithsesi, është ende herët për të konfirmuar nëse po shohim një trend të ri të sjelljes financiare apo nëse bëhet fjalë vetëm për një efekt sezonal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë