Futboll

Vendimi i CAS për Partizanin do të merret brenda dhjetorit

Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, klubi i Partizani ka bërë me dije se është zhvilluar online si pasojë e situatës së COVID-it, seanca e programuar gjyqësore në CAS, për çështjen e lojtarit Erald Çinari.

Partizani është përfaqësuar në këtë seancë, nga Drejtori i Përgjithshëm Olsi Rama, si dhe avokati i mirënjohur spanjoll Juan de Dios Crespo Peres dhe zyra e avokat Antonio Conte, grup qw ka punuar intensivisht përgjatë gjithë kësaj periudhe për përgatitjen sa më efikase të mbrojtjes. Zyra e shtypit e klubit të kuq bën me dije se vendimi pritet  të merret brenda muajit dhjetor.

Erald Çinari

Partizani u dënua pak muaj më parë nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve të FIFA-s, sepse ka shkelur rregullat me afrimin e futbollistit Erald Çinari, i cili në vitin 2018 duhej të luante me ekipin kroat si i huazuar nga spanjollët e Alaveshit. Por gjithçka u prish më pas dhe lojtari shkodran kaloi te Partizani. Një gjyq i fituar në FIFA nga klubi kroat i Istras ka bërë që Partizani të dënohet nga “qeveria” e futbollit botëror me një vit bllokim të merkatos. Shkak lidhet me sulmuesin Erald Çinari.

Një çështje pak e komplikuar, por tashmë është fakt që FIFA i ka bllokuar Partizanit merkaton e verës dhe të dimrit, e ka gjobitur me 80 mijë euro, ndërsa Çinari është pezulluar për 4 muaj.

Njoftimi zyrtar i klubit të kuq

Pranë KAS të Lozanës është zhvilluar sot online, si pasojë e situatës COVID 19, seanca e programuar gjyqësore për çështjen Erald Çinari. Në komunikimin me panelin e KAS palët kanë paraqitur të gjitha pretendimet e tyre, si dhe janë dëgjuar deklaratat e dëshmitarëve të përfshirë në këtë proçes. FK Partizani është përfaqësuar në këtë seancë gjyqësore online, nga Drejtori i Përgjithshëm Olsi Rama, si dhe avokati i mirënjohur Juan de Dios Crespo Peres dhe zyra e avokat Antonio Conte. Ky grup ka punuar intesivisht përgjatë gjithë kësaj periudhe për përgatitjen sa më efikase të mbrojtjes dhe demonstrimit të pafajësisë sonë. Pritet që vendimi nga KAS të merret brenda muajit dhjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë