Nga Gazeta “SI”– Një nga figurat më enigmatike të artit botëror, Caravaggio, rikthehet në qendër të vëmendjes në Romë, këtë herë jo thjesht si mjeshtër i dritës dhe errësirës, por si një artist thellësisht i lidhur me shpirtëroren. Ekspozita “Caravaggio 2025”, e hapur deri më 6 korrik në Palazzo Barberini, shpalos një perspektivë të re mbi veprën e tij , atë të besimit që depërton përmes errësirës së fortë dhe dritës dramatike që e bëri të pavdekshëm.
Në qendër të këtij udhëtimi shpirtëror është piktura “Madona e Pelegrinëve”, e vendosur në Bazilikën e Shën Agustinit në Romë, tempull i urdhrit të Papa Leos XIV.
Një Virgjëreshë Mari krejt tokësore, me Jezusin në krah dhe përballë dy pelegrinësh të përulur e të zhveshur nga çdo madhështi. Një pamje e pazakontë, larg ikonografisë së zakonshme qiellore, që sipas rektorit të bazilikës, atë Pasquale Cormio, është një dëshmi e mëshirës hyjnore për njerëzimin e lodhur nga jeta.
“Zoti shfaqet si dikush që ecën krah për krah me të varfrit,” thotë ai. “Kjo Mari është pranë një njerëzimi të lodhur, të plagosur, të pistë, por të vërtetë.”
Ekspozita sjell në vëmendje rreth 24 vepra nga karriera e Caravaggio-s, nga mbërritja e tij në Romë rreth vitit 1595 deri në vdekjen misterioze në moshën 39-vjeçare. Ndër to janë piktura me tematikë fetare si “Shën Françesku i Asizit”, “Judita pret kokën e Holofernit” dhe “Davidi me kokën e Goliathit” , kjo e fundit një autoportret i vetë artistit në kokën e prerë të gjigantit biblik.

Kuratorja Francesca Cappelletti shpjegon se në veprat e Caravaggio-s, drita nuk është vetëm element estetik, por shërben si udhërrëfyes shpirtëror: “Për të, drita e shpirtit është ajo që i jep kuptim përvojës njerëzore.”
Një kapitull i veçantë i katalogut të ekspozitës, shkruar nga akademiku Alessandro Zuccari, hedh poshtë stereotipin e artistit të mallkuar. Edhe pse i përfolur për jetën e trazuar, Caravaggio ishte i lidhur me klerin dhe merrte pjesë në ritet katolike, duke punuar për porositës të fuqishëm dhe të devotshëm, përfshirë kardinalë.
Më shumë se 50 nga rreth 70 veprat e tij janë me përmbajtje biblike apo të shenjtorëve, edhe kur nuk ishin destinuar për kishat. Disa prej tyre ndodhen ende në kapela të Romës, si në kishën Santa Maria del Popolo apo San Luigi dei Francesi, ku vizitorët mund të shohin ciklin e famshëm për Shën Mateon.
Ekspozita mbyllet me një tjetër autoportret të tij , fytyra e një burri të tronditur që del nga errësira duke parë momentin kur një ushtar qëllon me shigjetë Shën Ursulën. Është një pamje që e bën të pamundur ndarjen e Caravaggio-s nga drama njerëzore dhe etja për kuptim.

Për atë Cormio, që çdo ditë mirëpret pelegrinë dhe turistë në bazilikën augustiniane, kjo është edhe një mënyrë për të përcjellë filozofinë e Shën Augustinit:
“Përmes bukurisë së krijimit dhe artit, mund të përçojmë një grimë nga bukuria e Zotit,” thotë ai.
Në një Romë ku arti dhe feja janë ndarë gjithnjë e më shumë nga moderniteti, Caravaggio vjen si një urë mes dritës së qiellit dhe errësirës njerëzore, si dëshmitar i një besimi që nuk ka nevojë për predikim, por për ndriçim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.