Më pak ushqime, pije alkoolike dhe duhan janë importuar në muajin qershor.
Sipas Institutit të Statistikave, kjo ka ndikuar që importet të bien ndjeshëm këtë muaj krahasuar edhe në terma vjetore, por edhe me muajin parardhës.
Tregtarët kanë importuar nga vendet me të cilat kanë marrëdhënie tregtare 5 % më pak produkte në krahasim me një vit më parë dhe me 4,9 %, në krahasim me Maj 2018.
![](https://online1.gazetasi.al/wp-content/uploads/2018/07/Tabela-3-01-1.jpg)
Si gjashtëmujor, importet janë rritur me 4,7 %, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2017-ës. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Tekstile dhe këpucë”. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale”.
Ecuria e importeve sipas vendeve partnere
Në muajin Qershor 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Qershor 2017 janë: Greqia (8,9 %), Turqia (10,3 %) dhe Kina (3,7 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-2,2 %), Gjermania (-24,8 %) dhe Spanja (-10,4 %).
Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (2,9 %), Greqia (6,8 %) dhe Turqia (2,9 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermania (-2,7 %), Shtetet e Bashkuara (-4,7 %) dhe Ukraina (-32,5 %).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.