Futboll

Çalhanoglu ringjall Interin, Barcelona del e mundur nga ‘San Siro’

Gazeta Si – Një gol i turkut Hakan Çalhanoglu në sekondat e fundit të pjesës së parë i ka dhënë fitoren 1-0 Interit përballë Barcelonës, në ndeshjen e tretë në grup. Zikaltrit reagojnë pas një momenti të vështirë në kampionat dhe marrin vendin e dytë në grup në Champions, duke lënë pas spanjollët.

Calhanoglu, autori i golit te fitores per Interin. Gazeta Si, 4 tetor 2022

Ndeshja pati emocione, raste të diskutueshme të vendosura nga VAR-i dhe tension. Slloveni Vinçiç akordoi plot 9 kartonë të verdhë, 2 prej të cilëve për trajnerët Inzagi dhe Ksavi.

Interit iu anulua për pozicion jashtë loje një gol i shënuar nga Korrea në pjesën e parë. E njëjta gjë ndodhi me Barcelonën në pjesën e dytë, kur goli i Pedrit u anulua për prekje të topit me dorë. Pati edhe momente kur u pretendua për penallti nga të dyja palët, por VAR-i tregoi të kundërtën.

Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares shqiptare, u fut në fushë në minutën e 85-të, duke zënë vendin e autorit të golit, Çalhanoglu.

Në ndeshjet e tjera vlen të përmendet fitorja e thellë e Napolit, 1-6 në fushën e Ajaksit. Bajerni kaloi me lehtësi çekët e Plzen, 5-0, ndërsa Liverpuli mundi 2-0 Gllasgo Rejnxhërs. Atletiko Madrid u mund 2-0 në fushën e Bryzhit.

Liga e Kampionëve
Sot
Bajern Mynih-Plzen 5-0
O.Marsejë-Sporting 4-1
Ajaks-Napoli 1-6
Bryzh-Atl.Madrid 2-0
Eintraht Frankfurt-Totenhem 0-0
Porto-Bajer Leverkusen 2-0
Inter-Barcelona 1-0
Liverpul-Rejnxhërs 2-0


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë