Politike

Cakaj: Shqipëria e gatshme për negociatat e reja. Bushati: Javët që vijnë, kritike

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, është shprehur mbi vendimin e Komisionit të Bashkimit Evropian për miratimin e metodologjisë së re të procesit të anëtarësimit në BE.

“Ne mirëpresim metodologjinë e re të përpiluar nga Bashkimi Evropian për vazhdimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është e gatshme të vazhdojë reformat përmbajtësore e transformimin rrënjësor në përputhje me parimet e metodologjisë së re dhe pret çeljen e bisedimeve për anëtarësim brenda 2020” – shkruan Cakaj.

Gent Cakaj, Gazeta Si, 5 shkurt 2020

Sipas Cakajt procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian kërkon qartazi më shumë besueshmëri, parashikueshmëri, mbështetje më të madhe politike dhe zhvillim më dinamik.

“Platforma e re e Komisionit Evropian është po ashtu një investim afatgjatë gjeostrategjik në stabilitetin, zhvillimin e demokratizimin e Ballkanit Perëndimor në tërësi”- përfundon ai.

Për metodologijnë e re të miratuar nga KE-ja pati edhe një reagim nga ana e ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Gazeta Si, 5 shkurt 2020

“Dy vjet pas miratimit të Strategjisë së Zgjerimit të vitit 2018, le të shpresojmë që metodologjia e rishikuar do ta bëjë procesin e pranimit në Bashkimin Europian më efektiv, më të parashikueshëm, më të besueshëm dhe më të prekshëm për qytetarët duke frymëzuar ndryshimet e duhura shoqërore. Javët në vijim do të jenë kritike për zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Ndaj, na duhet të shtojmë forcat e përpjekjet mes nesh, të gjithë aktorëve politikë e shoqëror, për të jetësuar këtë objektiv kombëtar. Dekada e katërt e tranzicionit, që shkoi përtej çdo parashikimi, duhet të përmbyllet me Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në familjen europiane”, shprehet Bushati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë