Politike

Cakaj jep dorëheqjen, Rama emëron Xhaçkën si ministre e Jashtme, çon Peleshin tek Mbrojtja

Gent Cakaj dha dorëheqjen e parevokueshme si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama nuk bëri komente nëse Cakaj kishte dhënë apo jo dorëheqjen. Kjo ndoshta edhe për një arsye fare të thjeshtë se Cakaj “de jure” nuk ishte ministër, pasi nuk u dekretua asnjëherë në atë detyrë nga Ilir Meta. Dhe dorëheqja e tij përveçse një xhest simbolik nuk ka ndonjë rëndësi ligjore.  

Rama njoftoi se ka emëruar në postin e Ministrit të Jashtëm, Olta Xhaçkën e cila drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, dhe ka rikthyer Niko Peleshin në vendin e lënë prej saj.    

“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.

Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e Mbrojtjes”, shkruan Rama në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë