Shendet

Çaj xhenxhefili dhe gargarë me kripë, si po e lufton pandeminë Koreja e Veriut

Gazeta Si – Gargarë me ujë të kripur dhe çaj xhenxhefili. Regjimi i Phenianit i sugjeron popullatës që të luftojë Covid-in me mjekësi tradicionale.

Në një kohë kur Koreja e Veriut po përballet me një përhapje të lartë të virusit, këshillat e shpërndara nga mediat për të luftuar atë që quhet “ethet”, është një tallje e hapur me popullsinë që merr periodikisht urdhrin për t’u mbyllur në shtëpi.

Regjimi mbylli fort kufijtë e tij në fillim të vitit 2020 dhe nuk pranoi vaksina nga jashtë, madje as ato të ofruara nga Pekini (Kina kishte ofruar tre milionë doza).

Prandaj, askush nuk është i vaksinuar dhe Koreja e Veriut, së bashku me Eritreank, është i vetmi vend në botë që nuk ka filluar një fushatë vaksinimi.

Shtrirja e epidemisë nuk dihet. Rastet me “ethet” tani kanë kaluar dy milionë (2.24 milionë) dhe vdekjet janë 65.

Por rastet e Covid të konfirmuara nga Pheniani janë vetëm 168 dhe vetëm një vdekje. BBC, duke monitoruar mediat shtetërore, ka arritur të rindërtojë mënyrën se si trajtohet Covid.

Për ata që nuk janë të sëmurë rëndë, gazeta e partisë qeveritare, rekomandoi ilaçet klasike të gjysheve: çaj xhenxhefili ose një pije me gjethe shelgu.

Pijet e ngrohta mund të qetësojnë disa simptoma të Covidit, si dhimbje të fytit ose kollë dhe të ndihmojnë pacientët kur humbin më shumë lëngje se normalja.

Xhenxhefili dhe gjethet e shelgut mund të zvogëlojnë dhimbjen, por asnjëra prej këtyre përzierjeve nuk është trajtim për koronavirusin.

Çdo mëngjes media shtetërore transmeton një lloj raporti për rastin e etheve të lexuar nga Ryu Yong-chol, të cilin “Reuters” e pagëzoi me emrin Dr.Fauci, koreano-verior. Dhe është ai që jep këshilla se si të përballohet virusi.

Media shtetërore transmetoi një intervistë me një çift, i cili tha se bën gargarë me ujë të kripur në mëngjes dhe në mbrëmje dhe, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, mijëra tonë kripë u dërguan në Phenian për të krijuar një “solucion antiseptik”.

Covid transmetohet kryesisht nga thithja e pikave të shpërndara në ajër përmes hundës dhe gojës, por pasi hyn, përhapet në organe dhe përsëritet dhe asnjë gargarë nuk mund ta luftojë atë.

Televizioni sugjeroi përdorimin e ibuprofenit, amoksicilinës dhe antibiotikëve të tjerë.

Në fakt, ibuprofeni dhe paracetamoli mund të ulin temperaturën dhe të lehtësojnë simptomat si dhimbje koke, dhimbje të fytit, por nuk mund të eliminojnë virusin dhe të parandalojnë zhvillimin e tij.

Dhe antibiotikët janë të dobishëm kundër infeksioneve bakteriale, jovirale dhe në të vërtetë abuzimi mund të zhvillojë rezistencë.

Deri më tani në botën perëndimore janë miratuar tre antiviralë për ata që janë më të dobët, për të shmangur shtrimin në spital: paxlovid, molnupiravir dhe remdesivir.

Shtrirja e epidemisë nuk është e qartë për momentin, por analistët druajnë se ajo është më e rëndë se sa ishte paralajmëruar dhe supozohet se mund të ketë pasoja shumë të rënda për vendin komunist,

Kjo, duke pasur parasysh gjendjen e keqe të sistemit shëndetësor kombëtar, kequshqyerjen e përhapur dhe fakti që 26 milionë banorë janë në thelb të pa vaksinuar.

Koreja e Veriut ka miratuar gjithmonë politikën “zero-Covid” të Kinës dhe vendeve të tjera aziatike, një politikë e cilësuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si “e paqëndrueshme”.

“Ndërsa koronavirusi i parë mund të frenohet me bllokime, varianti ‘Omicron’ nuk mund të ndalet ose anulohet, siç tregon përvoja e pjesës tjetër të botës”, – shpjegoi OBSH, duke iu referuar ngjitjes së frikshme të BA.2 dhe duke iu drejtuar autoriteteve kineze që të zbatojnë politikën “zero Covid”.

Nëse varianti ‘Omicron’ duket të jetë më pak vdekjeprurës se shumë shtama të mëparshme të virusit, kjo pamje bazohet kryesisht në nivelet e larta të imunitetit të arritura nga popullsia e shumë vendeve perëndimore dhe në mbrojtjen e ofruar nga vaksinat e përhapura gjerësisht në ato zona.

Të gjitha këto gjëra nuk ekzistojnë në Korenë e Veriut, ku popullsia është ende e “virgjër” ndaj virusit dhe shumë e ndjeshme: këtu virusi mund të bëjë kërdinë, pavarësisht nga çajrat e nxehtë bimor dhe të gargarat me kripë.

Burimi: BBC; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë