Ka ndodhur

Çahet tubi i gazit në një karburant në Shkozë, zjarrfikësit shmangën rrezikun. Banorët kthehen në shtëpi pas evakuimit

Gazeta Si – Një tub gazi në një karburant pranë rrethrrotullimit të Shkozës në Tiranë ka rrezikuar të shpërthejë, pasi ka pësuar rrjedhje gjatë montimit të tubacionit nga autoboti në pikën e depozitimit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:35, në rrugën “Sadik Petrela” dhe mësohet se rrjedhja ka shkaktuar erë të fortë gazi në zonë.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të ambulancës, të zjarrfikëses dhe teknikët të cilët kanë eliminuar defektin.

Policia ka evakuuar banorët dhe për çështje sigurie është bllokuar përkohësisht rruga e urës së Shkozës dhe perimetri që kishte rrezikshmëri.

Zjarrfikëset kanë ndërhyrë me ujë, duke lokalizuar avarinë dhe eliminuar rrezikun e një shpërthimi të mundshëm.

Ekspertët që mbërritën në zonë, thanë se kanë ndërrmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe akutalisht nuk rrezikohet.

“Sot në orën 11:25 jemi vënë në dijeni se te karburanti në fjalë gjatë montimit të tubacionit nga boti në karburant ka patur një avari dhe si rrjedhojë anomalie ka shpërthyer gazi. Janë evakuuar banorët, kanë ardhur zjarrfikësja dhe ka bërë të mundur eliminimin. Nuk ka rrezikshmëri. Nuk ka patur flakë, sepse zjarrfikësja ka ardhur në kohë. Do kryejmë hetimet dhe do të ndjekim më mtësisht se çfarë ka ndodhur”, – tha ai.

Ndërsa kreu i zjarrfikëses në Tiranë, ka sqaruar se pas rrjedhjes së gazit në pikën e karburantit në Tiranë, situata është nën kontroll.

Ai tha se banorët do të rikthehen shpejt në banesat e tyre dhe forcat janë në gatishmëri të plotë.

“Ka pasur rrjedhje gazi, as zjarr dhe as probleme të tjera. Do të shqyrtohet i gjithë informacioni tekniko-ligjor. Distancat janë përcaktuar sipas objekteve, do shqyrtohet dhe do të shikohen. Kemi mbyllur auto gazet për të gjitha rastet që ka pasur shkelje. Jemi në gatishmëri, banorët po kthehen në banesat e tyre dhe zona do të jetë e sigurt. Aktualisht nuk ka rrezikshmëri”,- shprehet kreu i zjarrfikëses.

Sipas tij, çdo gjë ka funksionuar normalisht, “s’ka të lënduar, situata është e qetë dhe nuk ka probleme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë