Nga Gazeta ‘Si’- ‘Prokuroria dështoi me ngritjen e Task-Forcës për të parandaluar krimin zgjedhor dhe raporti më i fundit i OSBE/ODIHR për 11 majin e tregoi më së miri se si nuk u parandalua krimi zgjedhor.’
Kështu u shpreh në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, teksa diskutoheshin 6 pika në rendin e ditës.
Ligjvënësi demokrat kritikoi organin e akuzës, duke theksuar se asnjë nga problematikat nuk ishte përfshirë në këto rezoluta, sikurse ishin raporti i DASH më herët dhe ai për zgjedhjet dje.
“Raporti i OSBE/ODIHR tregoi se Task-Forca e Prokurorisë nuk funksionoi, nuk u parandalua krimi zgjedhor dhe blerja e votës. Rezoluta këtu vetëm sa prekin sipërfaqen dhe nuk flasin të vërtetën. Parlamenti të vërë gishtin në plagë, situatat përkeqësohen më shumë dhe përshkallëzojnë. kemi raporte nga OSBE/ODIHR, DASH e të tjera, që nuk janë përfshirë këtu dhe që duheshin futur, duhen diskutuar”, tha Bylykbashi.
Më tej ai trajtoi dhe faktin se si mazhoranca hesht sipas tij, nuk ka qasje për t’i zgjidhur këto problematika dhe që i intereson situata e kontrollit zgjedhor.
“U ngrit një Task-Forcë që ka dështuar në mënyrë masive. Krimin zgjedhor mund ta shohim në të dyja krahët, se si funksionon aktualisht dhe se si do vazhdojë më tej. Kemi centralizim të pushtetit, institucionet nuk janë të pavarura, ka bashkëpunim me krimin e organizuar dhe gjithçka përfundon siç përfundoi në zgjedhje me krim zgjedhor. Nuk pres që mazhoranca të ketë qasje. Mazhoranca ka hallin se humbet zgjedhjet, ndaj edhe raportet flasin qartë. Rezolutat këtu nuk përputhen, nuk dalin çështje”, tha deputeti demokrat.
Në të njëjtën linjë diskutoi edhe deputeti tjetër, Ivi Kaso, i cili u shpreh sipas tij se mazhoranca e ktheu situatën zgjedhore në armë ndaj opozitës, duke përdorur krimin e organizuar për krimin zgjedhor, kurse prokuroria nuk arriti ta parandalonte.
Në këtë Komision mbajtën fjalën për projektrezolutat përfaqësuesit e institucioneve të pavarura dhe më tej mbledhja kaloi në diskutime.
Por më herët ajo ishte ndërprerë për një orë, pas debateve të forta mes opozitës dhe mazhorancës, ku e para akuzoi për mungesë të materialeve për shqyrtim, duke kërkuar kohë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



