Drejtësia

Bylykbashi: Task-Forca për krimet zgjedhore doli fiasko! Dumani: Kam dërguar hetues në mes të natës

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i SPAK, Altin Dumani iu është përgjigjur pyetjeve të ligjvënësve në Komisionin e Ligjeve.

Pyetja e parë ndaj tij është drejtuar nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. Ai e ka akuzuar SPAK-un se ka dështuar në parandalimin e krimit zgjedhor, me ngritjen e një task-force të posaçme nga prokurorët e SPAK.

Bylykbashi tha se deputetët opozitarë nuk mund të presin të digjen 3 apo 4 palë zgjedhje, ndërkohë që SPAK heton sot për krime zgjedhore të zgjedhjeve katër vite më parë.

Por drejtuesi i SPAK, Dumani, nuk ndau të njëjtin qëndrim.

Ai tha se task-forca e SPAK ka vend për përmirësim, por nuk mund të thuhet se ka dështuar. Teksa përmendi disa statistika, Dumani tha se ka patur edhe komunikim direkt me Bylykbashin gjatë zgjedhjeve në Durrës, madje i ka çuar atij prokurorë sa herë ka pasur pretendime, për të verifikuar situatën në terren.

“Aktualisht ne kemi një kryetar bashkie të pandehur për korrupsion aktiv. Ky është një rast ku ne kemi parë korrupsion masiv. Kemi nën hetim një kryebashkiak tjetër, kemi nën hetim dhe të arrestuar disa persona po për këto zgjedhje. Kemi dhe procedime penale 38, të cilat po i ndjekim me prioritet. Duhet të kemi parasysh, jemi një institucion me 20 prokurorë, nuk jemi as policia e shtetit as dogana. 

Kemi patur bashkë edhe një komunikim, çdo pretendim tuaj e kemi verifikuar, kemi dërguar prokuror edhe në mes të natës. Se ca gjëra duhen thënë siç janë. Dhe ju keni shkuar dhe e keni falënderuar. Por zoti deputet, ne sa po organizojmë punën për të hetuar rastin, shikojmë në media që në këtë vend po blihen vota. 

Kemi zotin Gjoni, kemi çuar dhe verifikuar çdo pretendim. Ne 20 prokuror jemi thashë, do të doja të mos kishim asnjë rast, jam njëlloj i shqetësuar si ju për blerjen e votës. Por kapacitetet dhe mundësitë e SPAK këto janë”, tha Dumani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë