Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi me anë të një postimi në rrjetet sociale argumenton atë çfarë opozita pretendon se këto zgjedhje cenojnë lirinë dhe vullnetin e zgjedhësve për të votuar më 30 qershor. Në kuadër të thirrjes që ka ndërmarrë opozita prej ditësh për të mos votuar të dielën, Bylykbashi shprehet se nëse zgjedhësit shkojnë drejt kutisë së votimit, atëherë vota e tyre automatikisht është e zbuluar. “Sekreti i votës suaj është zero, sepse edhe nëse futeni ne Qendrën e Votimit i revoltuar nga ç’keni parë dhe doni të reagoni duke e prishur votën tuaj nën mbrojtjen e fshehtësisë së votës, do të shihni që aty janë vetëm katër komisionerët e Partisë Socialiste, nuk ka asnjë nga opozita. Ata qëndrojnë në këmbë vijnë rrotull, afrohen pranë “dhomës së fshehtë” që vetëm e tillë nuk është, për të pare si po votoni. Kështu ju jeni të dhunuar dyfish, nuk kishit liri te zgjedhjes, por as sekret të votës tuaj. Me pas do te ikni nga qendra e votimit me kokën ulur, të poshtëruar në dinjitetin tuaj prej gjoja qytetari të lirë. Në shtëpi do të prisni rezultatin e numërimit ku për herë të parë që pas 1990 rëndësi do të ketë vetëm përqindja e pjesëmarrjes dhe jo rezultati, sepse ai dihet”, shkruan Bylykbashi.
Më tej ai thekson se grupet e numërimit të votave janë të përbërë po nga socialistët dhe se të tilla vota nuk ka garanci se mund të numërohet siç duhet. “Po ashtu komisioni i qendrës së numërimit ka vetem katër socialiste. Pra ata do t’ju numërojnë votat tuaja me sigurinë që ka bariu diku ne vargmalin Dhembel-Nemerçkë apo diku tjetër kur numëron delet e tij, ja ashtu si për rutine, sepse e di ekzaktësisht sa dele ka në vathe. Nëse do t’i dale ndonjë votë e pavlefshme do të shqetësohen, si bariu që i mungon ndonjë dele në fund të ditës së kullotës. Nëse jo, do t’ia fusin me të pira nga qefi që pjesëmarrja në votim doli e lartë siç ia kishte vënë objektivin Shefi i Madh”, shkruan më tej Bylykbashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




