Politike

Bylykbashi: Propozimet e PS për Kodin Zgjedhor, një rrëmujë e vërtetë

Partia Demokratike ka reaguar ndaj kërkesës së Partisë Socialiste për reformën zgjedhore, pasi socialistët kërkuan shtyrjen e afatit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Ish-deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi, personi që partia më e madhe e opozitës i ka besuar reformën zgjedhore, i cilëson si jo normale çështjet e ngritura nga socialistët, pasi nuk prekin thelbin kryesor të problemit.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bylykbashi i cilëson propozimet jo si një reformë zgjedhore, por si “Zgjeforma Redhore”. Gjithashtu ai ironizon dhe propozimet e dy deputetëve të PD-së, Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi, edhe pse nuk i përmend në mënyrë direkte.
“Nuk e kam gabim, është pikërisht kështu “zgjeforme redhore”, sepse është një rrëmujë e vërtetë ajo që propozojnë socialistët, dhe kakofonia ‎dhe idetë konfuze e pa bosht të ndonjë deputeti sere me plastmas apo qe eshte çelur në inkubator me ndriçim dhe ngrohje artificiale. Socialistët e kanë nga halli sepse e shohin se si e gjitha po u shkon për dreq përmes gishtërinjve dhe bëjnë disa propozime për amendamente ‎që siç e thonë vete nuk mund të prekin problemet kryesore: shitblerja e votës (rekomandimi prioritar 2), presioni mbi administratën publike dhe abuzimi me burimet shtetërore (rekomandimi prioritar 3) dhe dhunimi i parimeve themelore, lirisë dhe sekretit të votës (rekomandimi prioritar 8 ). Pra, çfarë reforme do ishte po të mos trajtonte këto? Asgjë tjetër vetëm si një seancë tek salloni i bukurisë tek lagjja, para se të shkosh ne takim me ndërkombëtarët në takimin e qershorit.‎ Pak krehje flokësh, pak truk aty-këtu që stonon në kombinimin perfekt me ngjyrën e getave dhe takat e këpucëve”, shprehet Bylykbashi.

“Nuk duan asgjë më pak‎ se ndryshime sistemi. Think big (si perëndimor) ose kërko 100 të marrësh 50 (si në pazar perimesh sere) kanë mësuar në shkollat respektive. Njeri ia këput gozhdës, tjetra gozhdës tjetër. Po t’i pyesësh më tej se si duhet bërë një gjë e tillë, pra si të reformosh sistemin zgjedhor apo sistemin e partive, nuk është çudi të dëgjosh: “duam mazhoritar me lista të hapura! Partitë të jenë me frymë euroatlantike paqësore”. Sir Thomas Hare apo Victor d’Hondt‎ kanë qenë thelbësisht gabim mesa duket që nuk e panë sistemin zgjedhor si një çështje agrokulturore. “Ku marrin vesh ata e’re!” do të thoshte ndonjëri”, ironizon Bylykbashi.

Sipas tij, çështja nuk është te sistemi, por te mënyra se si po tentojnë të futen këto ndryshime.
“Kjo Zgjeforme Redhore me Don Kishotin e gjatë të mazhorancës, Sanço Pançot dhe Dylqinetë që i mbajnë ison në atë sallë, e kanë gjetur cilit mulli me erë t’i turren atje në sallën e Parlamentit. “Sistemi sistemi!” bërtasin, a thua se sistemi e ka fajin pse demokracia në partitë politike është në pike të hallit, futen kriminelët në Parlament, lihen jashtë gra dinjitoze, korrupsioni politik bën kërdinë etj. Ky është karburanti politik që u fusim sistemeve zgjedhore. Deri më sot kemi shkatërruar katër lloje sistemesh. E t’u vesh fajin atyre për sjelljen e partive dhe individëve politikë në Shqiperi, është si të thuash që fajin e ka Daimler Benz pse prodhon Mercedes Benz që nuk duron dot naftën e Ballshit dhe ngec në rrugë. Nuk është çudi që në këtë rrumpallë, “Zgjeforma Redhore” në atë serën apo inkubatorin e vet, ‎të na prodhojë ndonjë sistem të ri, p.sh “Zirrum me Prim”. Si ato domatet me hormone mbi vlerat e lejuara. Sir Thomas Hare dhe Victor d’Hondt që kanë shpikur dy prej formulave të sistemit tonë zgjedhor, do të rrotulloheshin në varr! Po ata kanë qenë gabim që reformën e sistemit zgjedhor e shihnim në mënyrë elitare”, shprehet Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë