Politike

Bylykbashi: Kajmaku, KQZ s’ka të drejtë të interpretojë, thjesht zbaton ligjin

Ish-deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi në një prononcim për Gazeta “Si”, del kundër qëndrimeve të mbajtura në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sa i përket çështjes Kajmaku ku nënkryetari i këtij institucioni, Denar Biba u shpreh se vendimi i Kuvendit e tejkalon ligjin për zbatimin e Dekriminalizimit. Deputeti që ka qenë ndër kryesorët për miratimin e Dekriminalizimit thekson se KQZ-ja nuk ka për detyrë të bëjë interpretime për mënyrën se si zbatohet ligji, por thjesht duhet të veprojë si një noter. Bylykbashi shprehet se këto qëndrime shihen edhe si një tentativë e KQZ-së për të mos zbatuar ligjin e Dekriminalizimit. “Denari apo ndonjë anëtar tjetër nuk e kanë të drejtën që të bëjnë Gjykatën Kushtetuese. Organe si Prokuroria apo dhe KQZ-ja nuk kanë të drejtën e interpretimit të ligjit, apo të tentojnë të bëjnë një gjë të tillë. Nëse konstatohet se një individ është në kushtet e ndalimit të ligjit, KQZ bën vetëm konstatimin. Tentativa e KQZ, veprimi i tyre për të interpretuar ligjin është praktikisht zero, pasi nuk e kanë këtë kompetencë”, deklaron Bylykbashi.
Ish-deputeti i PD-së thekson se KQZ ka edhe rastet e mëparshme të deputetëve kur u është hequr mandati, e kjo edhe me vendim gjykate për rastet më të lehta se sa i kryebashkiakut të Vorës. Deputetë apo zyrtarë të tjerë janë larguar për faktin vetëm se janë ndaluar nga policia e shteteve të tjera, ndërsa Kajmaku, sipas Bylykbashit, ka fshehur një dënim dhe ka avancuar më tej, duke mos e deklaruar. Sipas tij, kjo është njësoj si të falsifikosh formularin, çka dënohet sipas nenit 190 të Kodit Penal. Kajmaku veçse ka fshehur dënimin, nuk ka treguar edhe faktin se ishte në kërkim. “Në rastet e para kur KQZ-ja i ka shqyrtuar nuk ka pasur të tilla debate dhe gjykata i ka kaluar ato”, thekson Bylykbashi.
I pyetur mbi qëndrimet në KQZ, sipas të cilave Kuvendi ka tejkaluar ligjin, Bylykbashi i hedh poshtë këto pretendime dhe i sheh si tendenca të KQZ-së për të mos zbatuar detyrimet që ka në funksion të zbatimit të ligjit. Ai shton se ligji dhe vendimi i Kuvendit shkojnë bashkë dhe për sa kohë që ndonjë Gjykatë apo Kuvendi nuk i ka rrëzuar, janë në fuqi. Pra, sipas tij, KQZ bën thjesht veprim noterial, pasi se për këtë procedurë e ka vendosur Gjykata Kushtetuese dhe vendosin gjykatat e tjera nëse zyrtarit do t’i hiqet mandati ose jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë