Treg

Buzëqeshje tek tregu i rrobave të përdorura

Nga Megi Iskurti – Tregun e rrobave të përdorura në Tiranë e gjeta tek gëlonte nga njerëzit këtë mëngjes qershori.  

Herë me nge e herë të tjera nxitimthi ata kalonin nëpër duar rrobat që iu zinte syri ndër pirgje, ndryshe nga një vit më parë ku sa nga meraku e mbase po aq dhe nga vështirësitë financiare që solli pandemia, panorama aty ishte krejt e qetë.

Shikimit nuk m’i shpëtuan fytyrat më të qeshura e më të gjallëruara të shitësve që tregonin për një kthim në normalitet pas gjithë krizës që edhe ata, si shumë të tjerë, i mbajti fort të mbërthyer.

Diku në mes tezgave të shumta në hyrje të tregut është Moza, ka 7 vite që punon aty dhe të pret me buzëqeshje tek të sheh se afrohesh drejt saj.

E pyes se si janë shitjet tani dhe zellshëm më tregon se puna po i rikthehet normales së dikurshme.

“Mua më duket se gjërat po rikthehen si më parë dhe njerëzit kanë filluar të vijnë po me të njëjtin ritëm.

Fundjava  i mbledh sërish bashkë shumë klientë të mi të hershëm ashtu si para pandemisë sepse atëherë njerëzit janë më të lirë dhe kanë kohë për të bërë ndonjë pazar pasi këtu duhet të kesh edhe pak durim për të zgjedhur rroba.

Shumë thasë na ngelën stoqe në 2020 për gati çdo sezon që u ndërrua dhe përveç kësaj unë mbase mund të jem tregtarja që e ka ndjerë më shumë krizën nisur dhe nga mallrat që shes.”

Moza shet kryesisht rroba të brendshme, intimo, peshqirë dhe robdishanë dhe më tregoi se gjatë pandemisë njerëzit atë e  shmangnin të parën me skepticizëm gati gati stoik.

“Në tërësi ka njerëz që këtë lloj malli e kanë disi merak sepse janë rroba intime në fund të fundit. Sado që mund t’i lash dhe dezinfektosh sërish nuk i duan dhe i evitojnë.

Gjatë pandemisë nuk bëhej fjalë që të vinin dhe t’i blinin, kur trembeshin për të blerë perime imagjino për një mall të tillë. Nuk ia vlente më të dilja fare në punë sepse as 5 mijë lekë të vjetra nuk i nxirrja dot por tani situata është përmirësuar ndjeshëm.”-më tha ajo dhe filloi t’u tregonte disa peshqirë dy klienteve që kishin zënë vend përballë tezgës së saj.

Tek vëzhgoja ndër rrugicat paralele të tregut, nuk mund të mos vija re gjithë atmosferën e ngjizur nga shitësit që me zë të lartë më drejtoheshin “ 2 fustane 5 mijë lekë, mall origjinal, hajde hajde, goca…”në tentativë për të tërhequr vëmendjen time e të shumë të tjerëve që kalonin aty pranë.

Moza me klientet

“Shyqyr kemi rrobat e përdorura se për të rejat nuk bëhet fjalë t’i blejmë moj xhan.”-më tha një zonjë rreth të pesëdhjetave që po përzgjidhte disa rroba verore.

“I blej për gocën, punon doktoreshë në një klinikë private dhe rrobat që ia gjej unë këtu janë aq të veçanta sa nuk i gjen dot në asnjë qendër tregtare. Janë dhe marka. Të gjithë koleget ia pëlqejnë dhe së fundmi jam hasur edhe me disa syresh që vijnë e kërkojnë këtu.”-më tregoi ajo dhe mandej u kthye sërish  e përqendruar në procesin e saj të kërkimit të rrobave.

Diku nga fundi i tregut më zuri syri disa njerëz që shtynin me brryl njëri-tjetrin dhe kërkonin vrullshëm në një kanastër të madhe me rroba.

Më tërhoqën vëmendjen kur i pashë dhe shkova drejt tyre për të kuptuar se përse të gjithë ishin fokusuar dhe po kërkonin me ngulm pikërisht aty.

Asnjë prej tyre nuk denjoi të më përgjigjej. Tek i shihja aq të fokusuar në kërkim e sipër më dukej se po të ndalonin e të më përgjigjeshin do i shkëpusja nga magjia, ishin gati gati të dehur me euforinë që ai pirg rrobash u përcillte.

“Janë rroba të Zarës dhe Bershkës, sapo kanë ardhur nga Italia. I shes me 3 mijë lekë dhe janë të gjitha të stinës.”-më tha tregtarja  Arjeta H e cila dalloi në sytë e mi kureshtjen për të kuptuar se çfarë po ndodhte aty.

“Aty brenda është Italia moj vajzë.Shyqyr erdhi vera,iku virusi dhe puna na u kthye.”-e mbylli fjalinë ajo dhe vijoi të njëjtën linjë fjalie që dukshëm i ishte kthyer në një refren monoton, duke bërtitur sërish me zë të lartë sikur të mos ishte shkëputur asnjëherë: “Hajdeni hajdeni, mall italian me vetëm tre mijë lekë.”

Sipas të dhënave nga dogana importet më të mëdha të rrobave të përdorura janë jo vetëm Italia dhe Gjermania por edhe nga Belgjika gjithashtu.

Në vitin 2019 në vlerë monetare tregtarët e shumicës kanë importuar 922,752,027lekë ndërsa në vitin 2020 fitimet u ulën drastikisht në rreth  651,858,329lekë ku pandemia bllokoi nëpër dogana të ndryshme edhe shumë mallra.

Nga 5 maji mora rrugën drejt bulevardit “Gjergj Fishta” aty ku BerlinTex,një tjetër rrjet rrobash të përdorura ushtron aktivitetin e tij prej më shumë se 10 vitesh.

BerlinTex i ka rrobat të ndara në sektore specifike dhe njerëzit e kanë më të lehtë të orientohen drejt asaj që duan të blejnë.

Anxhela, një vajzë 20 vjeçare që po shikonte disa kapele verore tregoi për gazetën “SI” se nga ai dyqan u shkëput vetëm gjatë karantinës për shkak se mbeti pa punë  por tani që ishte sërish në një marrëdhënie pune kishte rendur drejt rrobave “second hand.”

“Këtu çfarë nuk gjen. Pse duhet të shkosh në dyqane aq të shtrenjta kur  mund t’i gjesh jo vetëm ekonomike por edhe shumë të bukura e zor se sheh dy gjëra njësoj.

Unë personalisht nuk kam ndërmend të heq dorë nga rrobat e përdorura, tani që fillova dhe punë gjysmën e rrogës e di se ku do e harxhoj.”-tha ajo dhe u tregua shumë e gatshme të pozonte një foto për gazetasi.al.

Anxhela tek provonte disa kapele

Shitëset në BerlinTex por edhe të tjera nga “5 maji” më pohuan nga përvoja e tyre polemikat e shumta mbi faktin se shqiptarët edhe sikur të jenë në vështirësi financiare, sërish rrobat dhe kombinimet e modës nuk i lënë pasdore.

Njerëz pa maska, para që shkëmbeheshin ndër duar dhe gjysma buzëqeshjesh që u ngelnin tregtarëve në fytyrë nga shitjet e ditës ishin gjith pashë e më duhej për të kuptuar mandej se normaliteti po rikthehet.

Aty në tregun e rrobave të përdorura, ku mund të gjesh rroba “të pakoha” që u rezistojnë trendeve dhe tendencave të kohës, puna kishte rinisur masivisht dhe e kaluara pa shitje e vitit që lamë pas dukej krejt e largët…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë