Para

Buxhetimi gjinor/ Qeveria jep 70 mld lekë në 2024 për fuqizimin e grave

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria shqiptare parashikon në buxhetin e vitit 2024, rreth 70 mld lekë në funksion të buxhetimit gjinor, që do të shpërndahet sipas institucioneve. Nga një vit më parë ky fond është rritur me 10 mld lekë.

Ky buxhetim, thuhet në relacionin e buxhetit synon jo vetëm krijimin e mundësive dhe kushteve të përshtatshme për gratë dhe vajzat, por edhe ruajtjen e ekuilibrave të qëndrueshëm mes tyre në shoqëri.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale do të ketë alokimin më të madh nga ky fond, rreth 29 mld lekë.

Shtyllat kryesore të financimit nga shteti për gratë përfshijnë ndihmat për ato të papunësuara, ku do të përfitojnë rreth 8.000 gra, në vlerën e 8 mln lekëve. Gratë që pritet të bëhen nëna gjatë 2024-s, do të përfitojnë rreth 5 mld lekë dhe 2.2 mld do të shkojnë për 45 mijë bebe që pritet të lindin vitin që vjen.

Në dokument theksohet rreth 18 mld lekë do të shkojnë për gra dhe burra me aftësi të kufizuar, si edhe kujdestarët e tyre, duke njohur punën e papaguar.

Arsimimi i vajzave dhe i grupeve të paforizuara, është një tjetër pikë që parashikon buxheti, duke i ndihmuar ato me libra falas dhe bursa.

Politikat e zhvillimit rural për vitet 2024-2026 do të financohen me rreth 13.4 miliardë lekë, ku prioritet do të kenë edhe rritjen e numrit të grave që përfitojnë shërbimet e këshillimit dhe informacionit bujqësor.750 gra fermere nga 13 900 përfitues gjithsej ose 5.4% të totalit të përfituesve, do të përfitojnë nga një fond total prej 130 mln lekë, nga skemat kombëtare të mbështetjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë