Nga Gazeta ‘SI’ – Buxheti për presidencën ka nxitur debat në komisionin e Ligjeve me opozitën që ironizoi kërkesën e institucionit për shumën e 644 mln lekëve.
Përfaqësuesja e presidencës tregoi se në shpenzimet e parashikuara nga institucioni janë rikonstruksioni i godinës që do të kushtojë 360 mln lekë, blerje automjetesh dhe orendi të tjera brenda zyrave të autoritetit.
“Është e nevojshme blerja e automjeteve për një performancë më të lartë. Automjetet janë amortizuar, më më shumë 200.000. Shpenzimet për automjetet shkojnë në 36 mln lekë. Është i nevojshëm investimi në teknologji, pajisje dhe orendi për zyrën”, tha përfaqësuesja e institucionit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi ashpër presidentin duke theksuar se në vend që të ngrihet në lartësinë e detyrës, vjen në kuvend dhe kërkon para për kolltuk dhe makina luksi.
Bardhi tha se opozita respekton institucionin e presidentit, por kurrsesi nuk mund të pranohet fakti se ai është kthyer ne “drejtues politik i fushatës së Edi Ramës”.
“Presidenti është në detyrë për rehati. Kërkon makina komode, kërkon zyra të mëdha çfarë nuk kërkon. Shpresojmë të mos kërkojë të hapë ndonjë sallon bukurie në presidencë. I kemi dhënë fonde ne vazhdimësi. Por kam qenë shpesh në presidencë dhe të them të drejtën godina është mirë. Ky është Presidenti i parë që kërkon kolltuk, automjete e ku di unë. Presidenti para se të kërkojë kolltuk, karrige, parukeri do të duhej të luante rolin si president i vendit. I është dhënë disa here shansi të ngrihet në detyrën e kreut të shtetit, por nuk ka guxuar kurrë ta bëjë këtë. Ne e inkurajojmë të mos japë mesazh të ndasisë politike. I kërkojmë si institucion përgjegjës të marrë masa për ambasadorët. Presidenti shkarkoi një ndër ambasadorët më të mirë që kemi pas, ambasadorin në Gjermani. E shkarkoi pse nuk i vuri me dispozicion eskorten për të takur fëmijët. Nuk merr asnjë masë për ambasadorët që shkojnë takime politike. Në vend që të flasë për këtë vjen e kërkon në Kuvend, kolltuk. Sot nuk ka para për të sëmurët me kancer, presidenti mori para për dorën që vrau duke kërcënuar ambasadorin në Gjermani. Do duhet ta dinë shqiptarët këtë. Nëqoftëse keni respekt për presidentin mos e përdorni si leckë”, përfundoi deputeti demokrat.
Më tej ishte deputetja Dhurata Çupi, e cila u ndal tek kërkesa për rikonstruksionin e godinës.
“Këtë herë kërkohen 3 milionë euro nga Presidenti. Janë 3 milionë euro që do zhbëjnë një trashëgimi kulturore. Presidenca është ndërtuar në 1930, as Enver Hoxha nuk e shndërroi atë godinë. Ju thatë se keni filluar projektin e asaj godine. Me 3 milionë euro që doni të investoni, nuk i ruhet trashëgimia kulturore asaj godine. Si mund të konsumohen dhe të mos ndryshojë nga trashëgimia kulturore? Të hedhësh 3 milionë euro dhe të thuash do ruaj trashëgiminë, nuk ekziston. Nëse kjo ndodh, ju nuk meritoni të ekzistoni si Presidencë”, tha Çupi.
Përfaqësuesja e presidencës garantoi se nuk do preket trashëgimia kulturore, janë marrë të gjitha lejet përkatëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.