Presidenti Ilir Meta i ka hapur një tjetër dhimbje koke Kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës socialiste me kthimin për rishqyrtim të ligjit për buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Kreu i shtetit nuk ka dhënë asnjë arsyetim juridik për refuzimin, por e lidh vendimin e marrë me aktualitetin.
Meta kërkon që mazhoranca të reflektojë në buxhetin e ardhshëm shqetësimet e studentëve protestues. Por a mund ta realizojë Qeveria këtë? Njëra prej kërkesave të studentëve është rritja e buxhetit për arsimin në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 2.8 për qind që është parashikuar aktualisht.
Kjo do të thotë thuajse dyfishim i buxhetit për këtë zë, çka jo vetëm sipas Qeverisë, por edhe sipas ekspertëve dhe ekonomistëve është e pamundur që të realizohet në një periudhë afatshkurtër. Gjithsesi ka disa kërkesa të tjera më të thjeshta që mund të reflektohen në këtë buxhet, si karta e studentit, apo përgjysmimi i tarifës së shkollimit.
Megjithatë, për Kryeministrin Edi Rama vendimi i Presidentit të vendit nuk buron nga Presidenca dhe as nga dëshira e Presidentit Ilir Meta për t’u ndodhur në krah studentëve. Për shefin e Qeverisë, burimi i vërtetë i këtij dekreti është disa metra më tutje nga Presidenca, tek zyrat e LSI-së.
“Interesant! Presidenti kthen buxhetin e Shqipërisë pas prezantimit të kërkesave të LSI-së. Asnjë çudi! Vazhdon pa pushim e në çdo formë, presioni mbi studentët për të qëndruar në kor kundër Dialogut. Miq! Dilni nga kurthi i atij kori dhe bëhuni individë që flasin në emër të vetes”, shkruan Rama në Twitter.
Kjo është hera e parë në 23 vjet që një President rikthen për shqyrtim ligjin për buxhetin e shtetit. Vetë Presidenti Ilir Meta duhet të jetë në dijeni se rikthimi për shqyrtim i buxhetit dhe reflektimi i kërkesave të studentëve vështirë të ndodhë, jo vetëm për çështje afatesh, pasi më 1 janar ky ligj hyn në fuqi, por edhe për arsye politike.
Skenari më i sigurtë është që mazhoranca ta rrëzojë në seancën më të parë parlamentare dekretin presidencial pa ndryshuar asgjë në ligj, çka do të shmangte edhe një skenar të pashembullt me financat e vendit. Presidenti e lidh refuzimin me interesat e studentëve, por hamendësimet se ky vendim çon ujë në mullirin e opozitës ekzistojnë.
Nga opozita komenti i parë për këtë temë mbërriti nga Tritan Shehu përmes rrjeteve sociale. Dekreti mirëpritet.
“Kthimi në Kuvend nga Presidenti i këtij buxheti të varfërisë, abuzivizmit e stanjacionit një akt racional, që duhet shfrytëzuar pozitivisht”, shkruan ai.
Çfarë përfiton opozita nga kjo lëvizje e Presidentit? Nën trysninë e protestës së studentëve, edhe nëse brenda mazhorancës është menduar që të shmangej mbledhja në seancë plenare dhe të shtyhej kalendari i punimeve për vitin tjetër, me shpresën e zbehjes së tubimeve, dekreti detyron mazhorancën që të mblidhet të paktën edhe njëherë brenda këtij viti.
Seancat janë një mundësi e mirë e opozitës për t’iu kundërvënë edhe më fort mazhorancës në sallë, ashtu siç bëri edhe këtë të enjte, kur deputetët hodhën copa letrash në drejtim të Kryeministrit Edi Rama si shenjë mbështetjeje për protestuesit jashtë sallës, në kohën që mazhoranca rrëzonte amendimet e LSI-së për ligjin e arsimit të lartë. Amendimet u dorëzuan në Kuvend dhe LSI thotë se ato përputheshin me kërkesat e studentëve.

Një tjetër pritshmëri që mund të ketë ky dekret presidencial mund të jetë edhe përçarja e mazhorancës. Edi Rama nuk është në pozicionin e tij më të fortë në krye të socialistëve dhe përçarja brenda radhëve të tyre u reflektua pikërisht gjatë votimit të buxhetit 2019 dhe të paketës fiskale, për të cilën Presidenti nuk është shprehur, por ka afat deri në javën e fundit të dhjetorit për ta bërë këtë dhe nuk është çudi që ta refuzojë edhe atë gjithashtu.
Opozita mungoi në atë seancë parlamentare, por debatet u zhvilluan mes ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Ky i fundit paraqiti një sërë amendimesh në draftin e dorëzuar nga Ahmetaj. Pjesa më e madhe e tyre u rrëzuan, por jo pa rezistencë. I tillë ishte amendimi për heqjen e tarifës për librashitjen, apo ai për rritjen e kufirit të pagës së patatueshme nga 30 mijë në 40 mijë lekë të reja. Amendimet vërtet nuk u miratuan, por Braçe mori në krah të tij disa deputetë, si në rastin e heqjes së tarifës për librashitjen, kur 12 kolegë e mbështetën dhe disa të tjerë abstenuan.
Pse u kthye buxheti?
Në momentin që Kuvendi po njoftonte mbylljen e seancës, Presidenca shpalli dekretin e presidentit Meta për kthimin mbrapsht të ligjit “Për Buxhetin e Shtetit 2019”.
“Presidenti Ilir Meta, duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij. Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik”, ishte njoftimi i beftë i Presidencës, që zhvendosi disi vëmendjen e protestës së studentëve.
Argumenti i Presidentit Meta, duket se erdhi si një kundërpërgjigje ndaj qëndrimeve të mazhorancës në lidhje me kërkesat e opozitës për ndryshimin e buxhetit të shtetit, pasi numri një i kreut të shtetit ende nuk ishte shprehur për Buxhetin e ri të miratuar në seancën e 3 dhjetorit. Ky qëndrim u mbajt gjatë fjalës së kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla mbajti sot në Parlament, ku një ndër shkaqet e rrëzimit të amendamenteve të LSI-së ishte mos shprehja me dekret e Presidentit për Buxhetin e Shtetit.
“Ja kur erdhi reagimi i Presidentit Meta për çështjen e Buxhetit. Pjesë nga deklarata e sotme në Kuvend e kryetarit të grupit parlamentar të PS, z.Taulant Balla: Si ta ndryshoj unë buxhetin Petrit, kur buxheti është te Ilir Meta? Buxheti sot është te Ilir Meta, nuk është në Kuvend. Është te Presidenti i Republikës. Të gjithë e dini që procedura e ndryshimit të buxhetit është një procedurë që nuk bëhet me dy gisht letër, po kjo është tallje. 28 vjet tallje dhe doni të bëni edhe 28 minuta tallje me studentët këtu në sallën e Parlamentit”, është ky postimi i bërë në Facebook nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.
Ish-këshilltari i Presidentit Moisiu, Afrim Krasniqi shprehet për Gazetën SI se është hera e parë që ndodh që një president i vendit kthen mbrapsht një buxhet të shtetit.
A rrezikohen pagat e buxhetorëve me këtë vendim?
Kthimi i dekretit për buxhetin e Shtetit ka risjellë betejën mes Presidentit dhe Qeverisë (Kryeministrit), e cila u “harrua” pas luftës që u zhvillua për dekretimin e Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm.
Akti i paprecedent i Presidentit ka sjellë menjëherë në vëmendje nëse kthimi i ligjit të buxhetit mund të shkaktojë bllokim të fondit të pagave për punonjësit e administratës shtetërore ose jo?
Sipas nenit 86 i Rregullores së Kuvendit, “në programin e punës së Kuvendit futen automatikisht dekretet e Presidentit të Republikës për rishqyrtim ligjesh, emërime, për të cilat kërkohet pëlqimi i Kuvendit, projektligje financiare ose ndryshimi i Buxhetit të Shtetit, shqyrtimi i akteve normative me fuqinë e ligjit, propozimet për emërim dhe shkarkim titullarësh të organeve që zgjidhen nga Kuvendi, mocionet e kërkuara, projektligjet ose projektvendimet e mbartura nga programi paraardhës, si dhe çështjet që lidhen me gjendjen e jashtëzakonshme”.
Si rregull Presidenti ka drejtë që vetëm një herë që ta kthejë ligjin. Neni 85 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë. Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Kështu që parashikohet që buxheti të kalojë pa probleme. Analisti Krasniqi shprehet se nuk mund të ketë ndonjë bllokim, pasi votimi i dekretit mund të bëhet në datën 21 dhjetor, ku është edhe seanca e fundit parlamentare e parashikuar për këtë vit.
Juristë të pyetur gazeta “Si” shprehen se nuk mund të përbëjë ndonjë problem, pasi sipas praktikave nxirren akte normative, për pagat e buxhetorëve. Deri në muajin mars, sa hyn në fuqi buxheti, sipas praktikave operohet me aktet normative nënligjore.
Komisioni i Ekonomisë pritet të shqyrtojë dekretin, si struktura përgjegjëse dhe më pas pritet të dilet me një raport përfundimtar për t’u votuar në seancë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




