Nga Gazeta ‘Si’- Për 10 mujorin, të ardhurat në buxhet arritën 530 mld lekë duke u rritur me 11.4% me bazë vjetore.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, rritja është përshpejtuar lehtë në krahasim me shtatorin (4.6%).
Zërat që kanë ndikuar më shumë në rritjen e të ardhurave janë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ( +17.6 miliardë lekë), tatimi mbi fitimin (+11.1 miliardë lekë), tatimi mbi të ardhurat personale (+10.7 miliardë lekë), TVSH neto (+8.2 miliardë lekë).

Rritja e vazhdueshme e pagave po ndikon pozitivisht në ecurinë e buxhetit, teksa për 10 mujorin kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore kanë ndikuar në 31% të rritjes së të ardhurave (nga 55.4 miliardë lekë më shumë që u mblodhën, 17.6 miliardë lekë ishin vetëm taksat mbi pagën).
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 10-mujorin arritën në rreth 482.6 miliardë Lekë me një realizim në 96.7% të planit të së njëjtës periudhë.
Krahasuar me vitin e shkuar shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 3.6% më të larta ose rreth 16.9 miliardë Lekë më shumë.
Niveli i suficitit, për periudhën 10-mujore të këtij viti rezultoi në rreth 48 miliardë lekë nga rreth 33.7 miliardë lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i suficitit rezultonte në masën prej rreth 10.4 miliardë Lekë.
Të ardhurat sipas zërave
Të ardhurat nga TVSH në import, për 10 mujorin, rezultuan 120.8 miliardë lekë, 8 miliardë lekë ose 6.2% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 0.4% më pak se plani për 10 mujorin 2023.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 48.1 miliardë lekë, 4.2 miliardë lekë ose 9.6% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022, si dhe 0.1% më pak se plani i akcizës për 10 mujorin.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.5 miliardë lekë, 948 milionë ose 27.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 91.6% kundrejt planit për 10-mujorin 2023.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 7.5 miliardë lekë, 575 milionë lekë ose 8.3% më shumë se 10 mujori 2022, si dhe realizim në masën 102.3% kundrejt planit.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT) u realizuan në masën 284 miliardë lekë, 18.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në masën 40.4 miliardë lekë, ose 25.4% më shumë se e njëjta periudhë e 2022-shit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.