Nga Gazeta ‘SI’ - Në muajin shkurt 2023, buxheti i shtetit arkëtoi 46.8 mld lekë nga taksat e qytetarëve, 5% më shumë nga se ishte planifikuar dhe 11.5% më shumë se shkurtin e vitit të shkuar.
Shifra e arkëtuar gjatë shkurtit, është në rënie nga arkëtimet e janarit, rreth 4 mld lekë më pak dhe kjo lidhet me rënien e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Për muajin shkurt 2023, TVSH mblodhi 13.5 mld lekë, 4% më pak se plani dhe 7% më pak se një vit më parë.
Rritjen më të madhe e patën të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat, që u zgjeruan me 24% nga shkurti 2022, 3.8 mld lekë.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin në shkurt u rritën me 5.9% në raport vjetor, 2.4 mld lekë, ndërsa për akcizën me vetëm 3.9%, 4 mld lekë.
Shpenzimet për të njëjtin muaj rezultuan 38 mld lekë, 13% më pak nga plani, por 5% më shumë në raport vjetor. 37.3 mld e kësaj vlere ishin shpenzime korrente dhe vetëm 705 mln lekë kapitale. Buxheti rezultoi përsëri me suficit, rreth 8.7 mld lekë.
Rritja e shpejtë e të ardhurave dhe suficitit në buxhet, shumë herë u justifikua nga qeveria me të ardhurat e larta nga TVSH. Këtë herë, që TVSH është ulur ndjeshëm, buxheti rezultoi përsëri me suficit, ndonëse më të ulët se një vit më parë.
Qeveria është kritikuar shpeshherë nga ekspertë dhe autoritete për centralizimin e shpenzimeve kapitale vetëm në muajt e fundit të vitit dhe jo për gjatë 12 muajve. Suficiti i krijuar deri në nëntor 2022, i rezervoi qeverisë edhe një kritikë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko . Ai u tha përfaqësuesve të Ministrisë së Financave në komisioni i Ekonomisë, duke se “kjo praktikë e vjetër e qeverisë (që përqëndron investimet kapitale në fund të vitit), duhet zhdukur pasi krijon luhatje të panevojshme në tregun e brendshëm financiar dhe redukton efektivitetin e shpenzimeve publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.