Politike

Buxheti 2025, si parathënie për fushatën. Sorina Koti: Amendamentet e PD vendosin prioritetet për pensione, shëndetësi, arsim, bujqësi

Nga Gazeta 'Si' - Diskutimi i buxhetit 2025 e ka rifutur Partinë Demokratike në normalitetin parlamentar, ku vendin e protestave, e kanë zënë amendamentet për ndryshimin e buxhetit të 12-të të qeverisë së Edi Ramës.

Mes 23 propozimeve të opozitës, bie në sy kërkesa për rritjen e të ardhurave të shtresave në nevojë, vendosja e minimumit jetik, rritja e pensioneve. Faturë finale për amendamentet, deri tani, nuk ka, por nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ekonomisë, Sorina Koti, beson se çdo gjë është e mundur, kur ka vullnet politik.

“Në projektbuxhetin e vitit 2025, janë llogaritur që kemi 500 milionë euro më shumë. Atëherë, pse të mos investojmë më shumë për pensionet? Pse të mos ketë një rishpërndarje të buxhetit për ata që kanë më shumë nevojë? Me një mirëmenaxhim të parave publike, gjithçka është e mundur. Mjafton që të mos vidhet dhe të vendosen prioritetet e duhura.”- u shpreh Koti në një intervistë për Gazetasi.al.

Nënkryetarja demokrate e komisionit të Ekonomisë nuk ka ndonjë iluzion për pranimin nga PS të ndonjë propozimi, por, duke qenë përpara fushatës zgjedhore, gjithçka ka vlerë.

“Ne e dimë që asnjë nga propozimet tona nuk do të pranohet dhe se PS do t’i rrëzojë ato, edhe pse janë propozime realiste, të bëshme dhe në interes të qytetarëve. Megjithatë, ky është një rast për ne, që të komunikojmë me qytetarët. Ata duhet të dinë vizionin e PD, si ne do t’i bëjmë gjërat më mirë për të rritur pensionet, për të përmirësuar sistemin shëndetësor, arsimin, bujqësinë dhe gjithçka ka të bëjë me mirëqeverisjen.”- tha Sorina Koti në intervistën për Gazetasi.al.

Gazeta Si: PD ka dorëzuar 23 amendamente për buxhetin në Kuvendin e Shqipërisë, pjesa më e madhe e të cilave kanë një faturë të madhe financiare. E tillë është vendosja e minimumit jetik 200 euro. Pse një prag i tillë? Si e keni nxjerrë këtë?

Sorina Koti: Vendosjen e minimumit jetik nuk e kemi propozuar vetëm tani. Kemi dorëzuar një vit e gjysëm më parë një projektligj ku e propozojmë diçka të tillë, nisur nga kushtet e përkeqësuara ekonomike të pjesës më të madhe të qytetarëve dhe nga rritja e ndjeshme e çmimeve. Për të bërë këtë propozim, jemi bazuar tek raporti i Avokatit të Popullit dhe studimit që ka bërë UNDP në raportin për nivelin e varfërisë. Studimi i Avokatit të Popullit bënte fjalë për një minimum jetik prej rreth 180 mije lekë të vjetra, por, duke marrë për bazë dhe indeksimin e inflacionit të Shqipërisë 2022-2023, llogaritëm që minimumi jetik të jetë rreth 200 euro për person.

Ne jemi të hapur për çdo diskutim. U kemi kërkuar kolegëve socialistë tek Komisioni i Ekonomisë, që, edhe nëse ata nuk do të votojnë nismën tonë, të paktën të nisim diskutimet për të vendosur vlerën e minimumit jetik duke kërkuar ndihmën edhe të Avokatit të Popullit, edhe të INSTAT-it dhe të partnerëve të tjerë, për të përcaktuar një metodologji për vendosjen e minimumit. Ne nuk jemi kundra, edhe nëse del një shifër tjetër, por, të paktën, të miratohet me ligj dhe minimumi jetik të ketë një vlerë të përcaktuar me ligj. Jemi i vetmi vend në rajon dhe në Europë që nuk e ka të përcaktuar me ligj këtë gjë. Më pas, gjithçka që do të miratohej në buxhet, do të bazohej tek mimimumi jetik, duke nisur nga pensioni minimal, ndihma ekonomike, ndihma sociale. Çdo pagesë që do të dilte nga buxheti, do të kishte referencë 200 euro.

Gazeta Si: PD thotë se fondi i pensioneve duhet të pesëfishohet nga 1.5 miliardë lekë në 8 miliardë lekë. Ku gjenden këto para, pasi fatura është shumë e madhe, 80 milionë euro vetëm në këtë zë?

Sorina Koti: Për të bërë këtë propozim që mbrohet nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ne jemi bazuar vetëm tek shifra zyetare që ka bërë publike Ministria e Financave dhe INSTAT. Në bazë të këtyre të dhënave, në projektbuxhetin e vitit 2025, i miratuar në parim këtë javë, janë llogaritur që buxheti të ketë 500 milionë euro më shumë. Atëherë, pse të mos investojmë më shumë për pensionet? Pse të mos ketë një rishpërndarje të buxhetit për ata që kanë më shumë nevojë? Me një mirëmenaxhim të parave publike, gjithçka është e mundur. Mjafton që të mos vidhet dhe të vendosen prioritetet e duhura. Ne e dimë që nuk mund të jetohet me një pension prej 150 mijë lekësh të vjetra, ndërsa në zonat rurale nuk i kalon 100 mijë lekë të vjetra.

Gjithashtu, ne kemi kërkuar më shumë para për pensionistët, sepse është shtresa më e prekur dhe më e pamundur që kemi. Kemi kërkuar më shumë fonde për sistemin shëndetësor, sepse ne përballemi të gjithë me spitalet publike, ku shërbimi nuk është përmirësuar. Kemi kërkuar më shumë para për sistemin arsimor, për të rritur cilësinë e mësimit për pjesën më të madhe të fëmijëve shqiptarë. Kemi kërkuar më shumë fonde për bujqësinë, sepse e dimë që 60% e atyre që punojnë në Shqipëri janë në sektorin e bujqësisë, në agrobiznes, agroturizëm, agropërpunim. Pra, kemi kërkuar që, nga këto para shtesë që qeveria planifikon të mbledhë më shumë, të shpenzohen në sektorë prioritarë, që u vlejnë qytetarëve.

Gazeta Si: Keni edhe një kërkesë tjetër, për ndalimin e pagesave të projekteve të Partneritetit Publik Privat. Kjo është një kërkesë e përsëritur edhe vitet e shkuara, por është rrëzuar nga PS. Pse vazhdoni me të njëjtat amendamente, kur e dini rezultatin?

Sorina Koti: Që të flasim hapur, ne e dimë që asnjë nga propozimet tona nuk do të pranohet. Ne e dimë që PS do t’i rrëzojë ato, siç ka bërë edhe në të shkuarën, edhe pse, dua ta theksoj, propozmet tona janë realiste, të bëshme dhe në interes të qytetarëve. Disa nga kolegët socialistë na e thonë privatisht se janë dakord për disa nga propozimet, por janë të detyruar të votojnë kundër. Megjithatë, ky është një rast për ne, që të komunikojmë me qytetarët. Ata duhet të dinë vizionin e PD, si ne do t’i bëjmë gjërat më mirë për të rritur pensionet, për të përmirësuar sistemin shëndetësor, arsimin, bujqësinë dhe gjithçka ka të bëjë me mirëqeverisjen. Në lidhje me koncesionet dhe PPP-të që propozojmë të mos financohen më, është e qartë tani, e kemi parë edhe nga çështjet penale të hetuara dhe të gjykuara për inceneratorët apo shëndetësinë, sesi paratë janë vjedhur dhe koncesionet nuk janë përdorur për të përmirësuar shërbimin, por për të paguar një grusht qeveritarësh dhe biznesesh të lidhur me ta.

Gazeta Si: Ka bërë përshtypje një propozim për të rritur sërish pagën e administratës publike, me 10%. Pse po mbani këtë qendrim, kur pagat u rritën disa muaj më parë dhe ju nuk keni vlerësim pozitiv për administratën, kur thoni se është e fryrë me militantë dhe patronazhistë?

Sorina Koti: Të dyja këto qendrojnë. Kemi fakte publike për këtë. Në vitin 2013 kemi patur një administratë me 89 mijë punonjës, tani ka arritur në rreth 190 mijë, sepse kështu i leverdis politikisht pushtetit. Por ne jemi parti serioze dhe besojmë se duke rritur pagat, do të rrisim cilësinë e punës dhe do të ulim korrupsionin në administratë. Si rregull, një punonjës me pagë të mirë do të ndihet i vlerësuar dhe nuk do të kërkojë rryshfet për t’i shërbyer qytetarit apo për të menaxhuar paranë publike. Ne besojmë se një profesionist i mirëpaguar do të reagojë më mirë në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, ne kemi edhe një kërkesë thelbësore, që ka të bëjë me reduktimin e shpenzimeve operative të shtetit, ato që kanë të bëjnë me përditshmërinë. Janë shpenzime afatshkurtra, që nuk japin efekte për rritjen ekonomike. Ne duam që paratë e shqiptarëve, që mblidhen si taksa dhe në çdo formë tjetër, të shkojnë për investime kapitale, pra për zhvillim. Edhe pse kthimi i tyre mbrapsht, mund të dojë pak më shumë kohë, efektet në ekonomi janë shumë të larta. Këto janë investime që sigurojnë mirëqenie. Qeveria jonë ka prioritet të kundërtën. Ka më shumë investime afatshkrutra se i menaxhon më lehtë, i përdore për interes afatshkurtër politik elekoral dhe abuzimi me këto është më i madh. Por kjo është çështje e vizionit të drejtimit të qeverisë. Ne jemi për një qeveri pa shumë shpenzime për vete dhe për më shumë investime publike.

Gazeta Si: PD ka bërë propozime edhe për shtresën e ish të përndjekurve politike, por a e merr parasysh ky propozim i juaji dhe buxheti i propozuar shqetësimin e ngritur nga KLSH-ja se me këto ritme, kompensimi i tyre do të përfundojë pas 30 vitesh?

Sorina Koti: Ky është një paralajmërim shumë serioz. KLSH e ka dhënë këtë rekomandim, pasi ka bërë kontrollet e veta, por më e keqja është se, pas 30 vitesh të nisjes së këtij procesi, dëmshpërblimi i ish të përndjekurve dhe të persekutuarve politik apo edhe i pronarëve nuk ka mbaruar ende. Ritmi është jashtëzakonisht shumë i ulët, vlerat janë shumë të ulëta. Edhe për këtë çështje, PD ka bërë propozime për të ndryshuar buxhetin 2025, por e kemi të qartë se kjo nuk ka qenë dhe nuk është një çështje me rëndësi për qeverinë. Ata që kanë vuajtur gjatë regjimit të diktaturës komuniste, do të vazhdojnë të vuajnë, nëse kjo qeveri do të qendrojë ende në pushtet.

Kjo mungesë kujdesi është për çdo shtresë të shoqërisë, përveçse për ata me të cilët qeveria bën biznes, prandaj PD i fton qytetarët t’i bashkohen asaj në protesta dhe kudo për të bërë një ndryshim të madh për të mirën e familjeve tona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë