Ekonomi

Buxheti 2025, Malaj: Skema e re e pensioneve, buxheti rishikohet gjatë vitit. Braçe: Ekonomia po foksuohet vetëm tek ndërtimi dhe turizmi!

Nga Gazeta ‘SI’ – Siç ishte paralajmëruar, gjatë seancës së sotme në komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave iu përgjigj pyetjeve të deputetëve mbi draftbuxhetin e vitit 2025.

Ishte deputeti i majtë Erion Braçe që kritikoi qeverinë për përqendrimin e buxhetit në sektorin e ndërtimit dhe sektorin e turizmit.

I shqetësuar për mosdiversifikimin e ekonomisë, Braçe pyeti ministrin e Financave nëse qeveria ka ndonjë plan për tërheqjen e Investimeve të Huaja që nuk argëtojnë pasuritë e paluajtshme.

“Pjesa më e madhe e buxhetit përqendrohet në ndërtim dhe shërbim. Raport-progresi linte një detyrë për diversifikimin e ekonomisë, kemi ndonjë plan për ta thyer këtë përqendrim dhe për të shpërndarë rritjen ekonomike? E njëjta logjikë edhe për Investimet e Huaja Direkte , vlera më e madhe shkon për pasuritë e paluajtshme që ndjek pas turizmin dhe zhvillimin në sektorin e ndërtimit. Kemi ndonjë plan si të tërheqim IHD përveç se tek pasuritë e paluajtshme?” pyeti deputeti.

Ndër të tjera, ai i kërkoi ministrit Malaj një analizë të produktivitetit për administratën publike, bazuar në arsyetimin që u dha për rritjen e pagës së tyre.

“Këtë vit përmbyllet reforma e pagave, tani personeli na kushton 127 mld lekë, kur e ndërmorëm para 1 viti, kërkesa ishte produktiviteti i administratës, a është bërë një analizë? A është rritur produktiviteti i tyre apo thjesht i paguajmë më shumë dhe këta rrinë më shumë?”, tha Braçe duke shtuar se nëse matet puna me produktivitet, vetëm SPAK-u i meriton pagat që merr.

Arbi Agalliu, i vetmi deputet i opozitës në komision, i kërkoi ministrit Malaj rishikim të buxhetit për më shumë financime në drejtim të ish të përndjekurit politikë, arsimin dhe shëndetin.

“Lë për të dëshiruar buxheti që merr arsimi, duke ditur që të gjithë ta kërkojnë mbi 5%, jemi të fundit në rajon. Po ashtu edhe shëndetësia merr vetëm 2.9% të PBB-së. Dy sektorë të rëndësishëm, arsimi po cedon dita ditës. Buxheti për bujqësinë është shumë i ulët, në raport edhe me problematikat që ka pasur ky sektor. Duhet të shikohet mundësia për të rritur buxhetin për ish të përndjekurit politik, sepse duhet të ishte përmbyllur si proces. Ju duhet të spastroni administratën publike nga numri i shtuar i stafit” tha Agalliu.

Në përgjigje të pyetjeve, ministri i Financave Petrit Malaj, theksoi se IHD-të nuk janë vetëm në fushën e ndërtimit, por ka një ndikim të fortë të turizmit që orienton investimet.

“Kemi diversifikim të investimeve të huaja. Sigurisht diktohet sipas interesave që kanë investitorët e huaj. Për sa i përket mbështetjes sociale, ka vend për përmirësim. Kemi rritur fondin për skemën e rimbursimit. Buxheti 2025 e adreson mbrojtjen sociale”, tha Malaj.

Pyetur nga deputetja socialiste Pranvera Resulaj, se pse në projektbuxhetin e 2025-s nuk parashikohet skema e re e pensioneve, ministri tha se formula nuk është ende gati dhe buxheti do të rishikohet gjatë vitit.

“Projektbuxheti 2025 nuk adreson reformën e pensioneve. Jemi ende në proces. Kur të kemi formulën finale, buxheti mund të rishikohet gjatë 2025-s, por varët dhe nga performanca e të ardhurave”, sqaroi Malaj duke shtuar se arsimi dhe shëndetësia janë të financuara njësoj sa në ekonomitë e rajonit, ose dhe më shumë.

Ai përsëriti se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është “shumë i mirë” brenda mundësive të financave të vendit. Përballë kritikave për mosfinancimin e sektorit bujqësor, Malaj theksoi se sipas llogarive, bujqësia rezulton sektori më i financuar i qeverisë nga 2013 e në vazhdim.

Për moskryerjen e investimet kapitale në kohë, ministri Malaj tha se ëshhtë një procedurë që përballet me ankimime dhe procedurat e prokurimit publik, që i shtyjnë shpenzimet kapitale për gjysmën e dytë të vitit, si çdo vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë