Nga Gazeta Si - Shqyrtimi i projektligjit për marrëveshjen e administrimit të Butrintit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit, ka kaluar me debate edhe në Komisionin për Politikën e Jashtme.
Gjatë diskutimeve, deputeti Vangjel Dule tha se një pjesë e sipërfaqes së ish-parkut kombëtar të Butrintit, pronë e manastirit ortodoks të Shën Gjergjit, është dhënë për ndërtimin e një resorti, që mban edhe emrin Manastir.
“Nuk i parapriu një projektligji të tillë një konsultim publik. Kemi edhe një vendim të Këshillit të Ministrave që një pjesë e sipërfaqes së ish-parkut kombëtar të Butrintit, pronë e manastirit ortodoks të Shën Gjergjit, është dhënë për ndërtimin e një resorti, që mban edhe emrin Manastir. Ju keni vendosur dorë me vendimet e Këshillit të Ministrave në mënyrën më abuzive dhe skandaloze në hapësirën e parkut të Butrintit. Prona e një komuniteti fetar, edhe e hiqni nga hapësira e mbrojtur. Uroj që këto të jenë vetëm disa aspekte që unë kam konstatuar për shkak të interesit tim dhe të mos ketë të tjera në kuadrin e administrimit të ri që po i kushtojmë Butrintit”, tha ai.
Ndërkohë ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nuk e pranon pretendimin e Dules. “Manastiri është jashtë zonave të mbrojtura dhe nuk është pjesë e Butrintit, parkut, por për informacion, parku i Butrintit ka një shtrirje më të gjerë se prona që është e njohur si pasuri botërore e UNESCO. Për atë që pyetët, është përtej zonës”, tha ajo.
Sa u përket konsultimeve, ajo thotë se “i kemi nisur që në maj të 2018, që kur ka nisur të hartohet plani. Janë miratuar në Këshillin Kombëtar, në qershor të 2018”.
“A ka marrëveshje të tilla në site arkeologjike të tjera në të cilat ndërtohen hotele, apo merren në koncept?”, ngre pyetjen Grida Duma.
Ndërsa, drejtori i AADF, Martin Mata u shpreh se fondacioni është jofitimprurës.
“Është prova e radhës, ajo që kemi bërë me Muzeun Marubi, te Muzeu i Hebrenjve në Vlorë. Butrinti është vetëm prova ku AADF përveç fondeve financiare do të mundohet të ndihmojë dhe të sjellë modelin e administrimit. Ne kemi punuar me të gjitha qeveritë. Fondacionit ligjërisht nuk i lejohet të privatizojë asnjë cm, i tillë është statusi ynë. AADF është magneti”, u shpreh Mata.
Në fund, me 11 vota pro dhe 5 kundër Komisioni për Politikën e Jashtme ka dhënë miratimin për marrëveshjen e administrimit të Butrintit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.